Aliu: Vajza shtatëvjeçare e cila ndërroi jetë në Spitalin Klinik në Tetovë paraprakisht ishte mjekuar në një institucion shëndetësor privat
- – Vajza shtatëvjeçare e cila ndërroi jetë në Spitalin Klinik në Tetovë, një ditë më parë ishte mjekuar në një institucion shëndetësor privat. Këtë sonte e theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
- Post By Fitore Curri
- 20:37, 23 shtator, 2025
Shkup, 23 shtator 2025 (MIA) – Vajza shtatëvjeçare e cila ndërroi jetë në Spitalin Klinik në Tetovë, një ditë më parë ishte mjekuar në një institucion shëndetësor privat. Këtë sonte e theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Ne kërkuam nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor të shkojë atje, dhe tashmë kemi rezultate nga atje, të dhënat na janë dorëzuar zyrtarisht. Nesër do të kemi grupin tonë të ekspertëve i cili do ta shohë dhe analizojë nga pikëpamja klinike gjithë procesin”, tha Aliu sonte në emisionin “Top Tema”.
Aliu sqaroi se sipas planit për mjekim, vajza shtatëvjeçare ishte mjekuar në kuadër të rregullave, por megjithatë nevojiten ende kontrolle. Theksoi se ende priten rezultatet edhe nga autopsia.
"Sipas asaj që lexova, lë hapësirë për monitorim të mëtejshëm të procesit. Është ende shumë herët për të dalë me detaje rreth rastit pa e analizuar klinikisht edhe një herë me grupin tonë të ekspertëve", shtoi Aliu. fc/
Foto: Printskrin