Aliu: Procesi është ndërpre administrativisht, shënjuesit tumoral nuk bëhen vetëm në Onkologji, por në gjithë laboratorët biokimikë
- Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu deklaroi sot se është i informuar për ankesat e pacientëve onkologjikë se në klinikë nuk ka shënjues/markues tumoral.
- Post By Fami Bajrami
- 13:39, 2 tetor, 2025
Shkup, 2 tetor 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu deklaroi sot se është i informuar për ankesat e pacientëve onkologjikë se në klinikë nuk ka shënjues/markues tumoral.
"Po, kam informacion. Jam në kontakt çdo ditë me të gjithë drejtorët. Është e vërtetë që procesi është ndërprerë administrativisht dhe do të duhet të rishpallet në Onkologji. Ju informoj se shënjuesit tumoral nuk bëhen vetëm në Klinikën e onkologjisë, por bëhen në të gjitha laboratorët biokimikë në të gjithë vendin. Ju e dini që qasja ime është decentralizimi i shërbimeve shëndetësore dhe për këtë arsye jemi këtu sot. Po krijojmë infrastrukturë të re në mënyrë që qytetarët të mund të marrin të gjitha shërbimet shëndetësore atje. Shpresoj që qytetarët t'i marrin ato në kohë dhe që të ketë shënjues tumoral në të gjitha qytetet në të gjithë Maqedoninë. Do të ishte mirë nëse do t'i bënin ato analiza atje dhe do të ktheheshin me rezultatet. Kjo do e lehtësonte punën për ta, që t’i procedojnë ato analiza në nivel lokal sepse ato janë të disponueshme në laboratorë, ndërsa këtu do të vazhdonin me proceset klinike onkologjike", ka thënë Aliu, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në komunën e Butelit, ku do të ndërtohet poliklinikë e re.
Në pyetjen e gazetarëve se pacientët onkologjikë detyrohen të shkojnë në klinika private për të marrë diagnozë të hershme, Aliu tha se janë të vetëdijshëm se faktori njerëzor është më i rëndësishëm edhe në shëndetësi.
"Fatkeqësisht, situata është e tillë dhe për këtë arsye po bëjmë përpjekje që të mund të përfshijmë ekspertë, mjekë që janë qytetarë tanë, por jetojnë jashtë vendit, që të mund t'i përfshijmë dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes digjitalizimit të sistemit shëndetësor në vendin tonë. Prandaj punojmë intensivisht që të mund të kemi një sistem dhe të gjitha format digjitale të kartelave shëndetësore në mënyrë që çdo ekspert i cili nuk është fizikisht në Maqedoni të mund të ofrojë shërbime të tilla. Fatkeqësisht, për momentin është e vërtetë që për shkak të mbingarkesës dhe numrit të madh të pacientëve që presin, për fat të keq koha e pritjes për rezultate është më e gjatë se sa do të donte çdo qytetar dhe ministër. Punojmë intensivisht në këtë. Më besoni se zgjidhje nuk mund të gjendet për këtë rast menjëherë, sepse nuk bëhet fjalë për blerjen e infrastrukturës, por për faktorin njerëzor. Për të pasur një specialist, duhen të paktën dhjetë vjet. Fatkeqësisht, nuk e kemi atë kohë dhe për këtë arsye hapi i dytë ishte të punojmë paralelisht me vendet me të cilat mund të arrijmë lehtësisht marrëveshje në mënyrë që të mund të përfitojmë nga shërbimet shëndetësore nga një këndvështrim profesional", ka thënë Aliu.
Foto: MIA