Aliu: Nuk do të japim informacione të pjesshme për "rastet kardiologjike", rezultatet do t'i kumtojmë pas përfundimit të plotë të ekspertizës
- Tetë lëndë nga "raste kardiologjike" janë përfunduar, pesë të reja kanë mbërritur në Fondin e Shëndetësisë, por presim që të na dorëzohen edhe të tjera nga institucionet dhe qytetarët, tha sonte ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Shkup, 24 shtator 2025 (MIA) - Tetë lëndë nga "raste kardiologjike" janë përfunduar, pesë të reja kanë mbërritur në Fondin e Shëndetësisë, por presim që të na dorëzohen edhe të tjera nga institucionet dhe qytetarët, tha sonte ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Në një prononcim në TV Sitel, Aliu përmendi se rezultatet e gjithë këtij procesi do të kumtohen në fund, kur të përgatitet raporti përfundimtar. Nuk do të jepen informacione të pjesshme në opinion për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe, mbi të gjitha, për të kursyer pacientët dhe familjet e tyre.
Ekspertiza përfshin një Komision Ekspertësh nga Ministria e Shëndetësisë, një ekip nga Oda e Mjekëve me kërkesë të Ministrit Aliu, si dhe tre ekspertë nga Sllovenia, Austria dhe Italia të cilët ende nuk kanë ardhur në Maqedoni.
"Nuk mund të themi një afat kohor se kur do të përfundojë procesi, por nuk do të informojmë pjesërisht për rezultatet, por do t'i shpallim kur të jenë përfundimtare. Procesi është mbyllur, kjo është metodologjia jonë. Sot, tetë gjetje janë përfunduar, kemi të reja që do të analizohen duke filluar nga e marta e ardhshme. Paralelisht me Komisionin, kam kërkuar edhe përfaqësues nga Oda e Mjekëve. Ata me shumë mundësi nga java e ardhshme do të fillojnë me shqyrtimin e katër deri në pesë rasteve ad-hok nga viti 2023 deri në vitin 2025 nga klinikat private dhe shtetërore, dhe së fundmi, së bashku me tre ekspertët e huaj, do të nxjerrim një raport përfundimtar, i cili do të mbyllet. Pastaj do të formojmë një grup pune që do të zbatojë politikat që do të dalin nga këto dokumente. Është koha e duhur që të gjithë të jemi të përgjegjshëm, të mos lejojmë procese jashtë protokolleve profesionale, të përcaktuara në mënyrë strikte", nënvizoi Aliu.
Ai është i vetëdijshëm për mosbesimin e qytetarëve në shëndetësinë, por vuri në dukje se kjo nuk është diçka e re, por ka ekzistuar prej kohësh. Një nga mënyrat për të përmirësuar situatën, tha ai, është digjitalizimi. Ai kujtoi se po punohet për investime prej 205 milionë euro në infrastrukturë. ls/
Foto: Printskrin