• e hënë, 23 dhjetor 2024

Aliu: Do të formojmë Agjenci për Digjitalizim e cila do të sigurojë siguri kibernetike

Aliu: Do të formojmë Agjenci për Digjitalizim e cila do të sigurojë siguri kibernetike

Shkup, 18 prill 2023 (MIA) - Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri informoi se për periudhë prej një viti do të përfundojë procesi për formimin e Agjencisë së Digjitalizimit, një nga shtyllat e së cilës do të jetë siguria kibernetike.

"Siguria kibernetike është sfidë për të gjithë botën. Aq sa jemi të digjitalizuar, aq më shumë mundësi kemi për të qenë të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike. Ideja e Agjencisë për Digjitalizim është ajo të jetë ombrellë për të gjithë shtetin në të cilën përveç infrastruktura, zgjidhjet softuerike, një prej shtyllave kryesore do të jetë edhe siguria kibernetike. Për fat të keq, jemi akoma larg këtij realizimi. Pritet për pesë-gjashtë muaj deri në një vit ta kemi këtë Agjenci", tha Aliu.

Ministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve potencoi se momentalisht institucionet shtetërore janë cak edhe i sulmeve kibernetike, me ç'rast nga institucionet bëhet maksimumi që të jemi të sigurt në këtë periudhë.

"Momentalisht gjendja me institucionet shtetërore është siç është në mbarë botën. Kemi sulme, por jemi duke u përballur në nivel të institucioneve. Kur të kemi një lloj të tillë të institucionit si Agjencia e Digjitalizimit, do t'i kemi ekspertët më të mirë në një vend dhe më lehtë do të sigurohet kjo qasje drejt informacioneve në të cilat janë locuar, ndërsa të cilat nuk janë informacione që duhet të penterojnë në vetë procesin. Një lloj të tillë të sisemit kaskad do ta sigurojë Agjencia. Do të bëjë maksimumin që institucionet të jenë sa më të sigurta gjatë kësaj periudhe", tha Aliu.

 Për rastin e publikimit të videos në rrjetin social Tik-Tok të anestezistit nga Tetova, Aliu vlerëson se është precedencë serioze.

"Është sfidë për të gjitha vendet, jo vetëm tek ne. Janë procese ditore në të cilat për fat të keq nëse nuk kemi popullatë të trajnuar ose të informuar mirë për rrjete sociale ose "futprint" ose gjurmë digjitale të cilat i lëmë ne në rrjetet sociale, do të ndodhin edhe ngjarje të tilla. Për fat të keq, mendoj se është joserioze në bazë të një rasti në ditë të kemi keqpërdorime të tilla, të ndalohen rrjetet sociale. Por, gjithashtu mendoj se është shumë serioze si shtet t'i analizojmë të gjitha proceset dhe të shohim se si shkon dhe cilin lloj të informacioneve do të duhet t'ua servojmë qytetarëve tanë, t'i informojmë me qëllim që të jenë të vetëdijshëm për mënyrën se si përdoren dhe në çfarë mënyre. Për fat të keq, këto rrjete sociale janë shumë të lehta për përdorim, por nga ana tjetër nëse nuk jeni mjaftueshëm të informuar mund të ndodhin keqpërdorime të tilla. Vlerësoj se është precedencë serioze. Mbi këtë bazë, ne si Ministri do të analizojmë se çfarë lloji të trajnimeve në bazë të sistemit të trajnimeve për administratën publike janë të nevojshme dhe do të krijojmë përmbajtje multimediale në të cilën do t'i informojmë të gjithë të punësuarit në sektorin publik në çfarë mënyre dhe si të përdoren rrjetet sociale", tha Aliu.

Foto. Printskrin nga video në Jutjub

QËNDRONI TË LIDHUR