• e premte, 05 dhjetor 2025

Jovanov e pranoi fajin, aktgjykimi për fatkeqësinë ku humbi jetën Frosina Kulakova, më 13 maj

Jovanov e pranoi fajin, aktgjykimi për fatkeqësinë ku humbi jetën Frosina Kulakova, më 13 maj

Shkup, 9 maj 2025 (MIA) - Aktgjykimi për rastin me shkeljen e Frosina Kulakova do të publikohet më 13 të këtij muaji. Në gjykimin, që filloi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, i akuzuari Vasil Jovanov e pranoi fajin, ndërsa avokati i familjes Kulakova kërkoi dënimin më të lartë.

Jovanov është i dyshuar për veprën penale "vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik" për aksidentin e trafikut në janar të këtij viti në bulevardin "Arradhat Partizane" në Shkup, në të cilin humbi jetën Frosina Kulakova.

Mbrojtësi i Vasil Jovanovit, avokati Sashko Dukovski, para gjykatës kërkoi që të hiqet, siç tha, gënjeshtra e madhe për tashmë të akuzuarin Vasil, se është narkoman, duke theksuar se ai është sportist.

"Vasili është sportist dhe për këtë po dorëzoj çertifikatë anëtarësimi në një klub boksi, medalje të fituara dhe mirënjohjeje. Dorëzoj edhe një konfirmim nga federata e hendbollit se Vasil është lojtar i licencuar i KH Prolet 62 për sezonin 2021-22", deklaroi Dukovski.

Dukovski, gjithashtu, theksoi se ata nuk e kontestojnë praninë e alkoolit në gjak, por se raportet e ekspertëve nuk treguan praninë e drogës. Gjykata mund ta përcaktojë këtë në raportet e ekspertëve", tha Dukovski.

Sipas aktakuzës, më 29 janar të vitit 2025, Vasil Jovanov, pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit, drejtoi një automjet me shpejtësi prej 91 kilometrash në orë në bulevardin "Arradhat Partizane" në Shkup. Në një kalim për këmbësorë, në semaforin e kuq, ai goditi Frosina Kulakovën, e cila po kalonte në semaforin e gjelbër për këmbësorë. Nga forca e goditjes, Frosina pësoi lëndime të rënda dhe vdiq në vendin e ngjarjes. Krimi për të cilin akuzohet Jovanovi mbart një dënim me burg deri në 20 vjet.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë edhe kundër babait të Vasilit, Zoran Jovanov, për veprën penale "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" nga neni 288, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Aktakuza i referohet periudhës nga 04.11.2022 deri më 30.01.2025, gjatë së cilës Zoran Jovanov i lejoi të birit Vasil Jovanov të drejtonte automjet "Pezho 207", edhe pse e dinte se i biri nuk kishte patentë shoferi dhe ishte kryerës i shumëfishtë i kundërvajtjeve rrugore, përfshirë aksidentin rrugor në të cilin humbi jetën 22-vjeçarja Frosina Kulakova. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR