Aksion i dhurimit të gjakut me rastin e 3 majit - Ditës botërore të lirisë së mediave
- Aksioni për dhurimin e gjakut me rastin e 3 majit - Ditës Botërore të lirisë së mediave, realizohet sot në Shkup, Manastir, Strumicë, Prilep dhe Shtip. Organizator është Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM), në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:47, 30 prill, 2025
Shkup, 30 prill 2025 (MIA) - Aksioni për dhurimin e gjakut me rastin e 3 majit - Ditës Botërore të lirisë së mediave, realizohet sot në Shkup, Manastir, Strumicë, Prilep dhe Shtip. Organizator është Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM), në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.
Kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski në deklaratën në Shkup tha se 3 maji - Dita Botërore e Lirisë së Mediave, së bashku me 1 majin në kuptimin simbolik janë "tre ditë më të rëndësishme për neve, ditë në të cilat të gjitha angazhimet tona janë të unifikuara, e gjitha ajo për çfarë luftojmë - gazetarët e sigurt, të lirë dhe socio-ekonomikisht të sigurt janë një parakusht për gazetari të lirë dhe profesionale, si një nga shtyllat kryesore të demokracisë".

"Ky është viti i tretë që kemi shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Mediave me një aksion dhurimi gjaku, duke iu bashkuar shënimit global të kësaj dite të udhëhequr nga UNESKO, por edhe nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve. Për fat të keq, për shkak të rrethanave kalendarike, këtë herë po e shënojmë disa ditë para 3 majit, por edhe një ditë para 1 majit. Nesër si edhe sot, përsëri do të dërgojmë mesazhe të ngjashme, si ajo që lufta për të drejtat e punëtorëve dhe profesionale është e njëjtë, nuk ekzistojnë njëra pa tjetrën. Vetëm të solidarizuar, gazetarët dhe punonjësit e medias të ndërgjegjshëm socialisht mund të jenë mbrojtës të interesit publik dhe ta informojnë profesionalisht opinionin, gjë që është baza për zhvillimin e një shoqërie demokratike", tha Belovski.
Ai theksoi se UNESKO, këtë vit Ditën Botërore të Lirisë së Medive e shënon nën moton "Raportimi në një botë të re e të guximshme - ndikimi i inteligjencës artificiale në lirinë e medias".
Siç shtoi ai, sot në këtë vend, megjithëse liria e shprehjes në dukje ekziston, ajo është nën kërcënime serioze delikate që rrjedhin nga presioni i qendrave të pushtetit, gjendja e dobët financiare e medias, zhvillimi i shkretëtirave mediatike në një pjesë të madhe të territorit të vendit dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, veçanërisht në hapësirën onlajn.
Me këtë aksion, theksoi se tre herë me radhë dëshirojnë të tregojë se gazetarët dhe punonjësit mediatik janë pjesë e zakonshme e shoqërisë, se janë në solidaritet dhe ndiejnë zërin e të pafuqishmëve, të qytetarëve.
"Dëshiroj gjithashtu aksionin e këtij viti t’ia kushtoj solidaritetit, bashkimit dhe empatisë dhe me këtë të tregoj respekt për viktimat e tragjedisë që ndodhi në Koçan muajin e kaluar. Në këto kohëra, veçanërisht është e rëndësishme solidariteti, si mes gazetarëve dhe punonjësve mediatIK, ashtu edhe mes gjithë shoqërisë", theksoi Bellovski.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski tha se janë mbledhur, jo vetëm për të dhuruar gjak, por edhe t'i jepet zë simbolik vlerave për të cilat luftohet çdo ditë: për gazetari të lirë, të përgjegjshme dhe të sigurt, për solidaritet midis nesh dhe për përkushtim ndaj shoqërisë.
"3 maji shërben si një kujtesë për rreziqet me të cilat përballen gazetarët në mbarë botën në kërkim të së vërtetës. Gazetarët shpesh punojnë në mjedise të rrezikshme, duke u përballur me censurë, keqtrajtime, frikësime dhe madje edhe dhunë. Liria e medias është e lidhur ngushtë me të drejtën për të pasur qasje në informacion. Kjo ditë mbështet lirinë e informacionit si një e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për vendimmarrjen e informuar, diskursin publik dhe funksionimin e shoqërive demokratike", nënvizoi kryeari i SHGM-së.

Ai theksoi se gazetaria është profesion që ka mision të veçantë, ta mbrojë interesin publik dhe të jetë ndërgjegjja dhe zëri i komunitetit. Me këtë aksion të dhurimit të gjakut, jepet mesazh i fortë se jemi këtu njëri për tjetrin.
"Të mos harrojmë: liria e medias nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Ajo fitohet dhe ruhet çdo ditë me profesionalizëm, përgjegjësi dhe solidaritet", nënvizoi Çadikovski.
Aleksandra Vallkanovska nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit tha se dhurimi i gjakut është një akt human dhe uroi që fushata e dhurimit të gjakut të shndërrohet në një traditë. qa/
Foto: MIA