• e diel, 22 dhjetor 2024

Ahmeti: T'i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, me anëtarësimin në BE hapet perspektivë

Ahmeti: T'i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë,  me anëtarësimin në BE hapet perspektivë

Shkup, 17 shtator 2023 (MIA) - Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti porosit se çështja për ndryshimet kushtetuese kërkon qasje serioze dhe bën thirrje që të përfshihen bullgarët në Kushtetutë me qëllim  të vazhdimit të procesit të integrimeve evropiane.

 "Ndryshimet kushtetuese janë një çështje serioze. Ka dallime serioze me opozitën. Kjo çështje kërkon një qasje serioze. Bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit. E shihni, ndryshimet kushtetuese janë një mundësi historike për maqedonasit, nëse janë patriotë të vërtetë do të votojnë PRO. Këtë ua kam thënë të gjitha partive politike", thotë Ahmeti në një intervistë për TV21.

Siç transmeton televizioni në një publikim të disa pjesëve të intervistës, që do të publikohet sonte, Ahmeti shton se “në një takim para disa viteve, ku ka qenë i pranishëm edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u ka thënë për retorikën e ashpër të partive nacionaliste në Bullgari”. 

 "Kam qenë në disa takime në Sofje, partitë nacionaliste më thonin - "të gjithë bullgarë, nuk ka popull maqedonas", dhe t'ju them sinqerisht, kjo retorikë e tyre më shqetësoi dhe kjo kërkonte seriozisht  të ndiqet dhe  analizohet. Këtë ua thashë përfaqësuesve ndërkombëtarë se partitë nacionaliste në Bullgari kanë një retorikë të ashpër dhe është një problem serioz  i cili në të ardhmen të na bëjë problem edhe më të madh. Ja problemi sot. Prandaj, t'i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë. Është për të mirën e shtetit. Të shkojmë përpara dhe të mos kthehemi prapa. Na ikin njerëzit jashtë vendit, po ikin maqedonasit, shqiptarët, të gjithë po ikin sepse nuk shohin të ardhme. Me anëtarësimin në BE hapet një perspektivë", thotë Ahmeti.

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR