• e premte, 05 dhjetor 2025

Ahmeti nga Dibra: Më 19 tetor nuk ka zgjedhje lokale, por referendum kombëtar

Ahmeti nga Dibra: Më 19 tetor nuk ka zgjedhje lokale, por referendum kombëtar

Dibër, 13 tetor 2025 (MIA) - Më 19 tetor nuk ka zgjedhje lokale, por një referendum kombëtar për dinjitet dhe krenari kombëtare. Jemi së bashku për t'u përballur me të keqen dhe nënvlerësimin që u është bërë shqiptarëve në këto 12 muaj nga kjo qeveri. Hristijan Mickoski nuk e njeh Marrëveshjen e Ohrit, arritjet e shqiptarëve duke shkelur mbi gjakun e derdhur dhe sfidat, tha përmes një video mesazhi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimin qendror sonte në Dibër të Aleancës Kombëtare për Integrim. 

Shtoi se AKI janë bashkuar për t'i thënë "mjaft" degradimit dhe poshtërimit, nga Strguga në Likovë, dhe se "të gjithë kandidatët janë tanët, pavarësisht se cilës parti i përkasin, nën të njëjtën AKI" 

Në fjalimin drejtuar dibranëve, kandidati për kryetar komune Ilirian Fetahu shprehu bindjen  se do të marrë mbështetjen maksimale dhe se misioni i tij është të udhëheqë komunën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm. 

"Nuk kërkoj një shans për pushtet, por një mundësi për bashkëpunim të sinqertë për të ndërtuar së bashku një qytet modern, i cili do të jetë një shembull suksesi, në të cilin të gjithë do ta shohin të ardhmen këtu. Do të ndërtojmë një administratë efikase, do të sigurojmë një mjedis të pastër, shërbime cilësore për çdo qytetar, do të zhvillojmë ekonominë dhe turizmin. Do të jem kryetari i   të gjithëve, shqiptarëve, maqedonasve, turqve, romëve, nga të cilët kërkoj mbështetje për të arritur të gjitha projektet e përcaktuara në programin tim", tha Fetahu.

Në miting fjalim mbajti edhe  Artin Spahiu, bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë, i cili gjithashtu paralajmëroi  fitoren më 19 tetor si "një mision kombëtar të përmbushur, kundër forcave regresive, nacionaliste, antishqiptare dhe antiintegruese të udhëhequra nga VMRO-DPMNE".

"Ne nuk jemi për revanshizëm, por për qëllimin e vërtetë, që është barazia. Vota që jepni është arma juaj, për dinjitetin dhe krenarinë që bashkon. Bëjmë premtime të pastra dhe reale që do t'i përmbushim", tha Spahiu. 

 

Në tubim, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, akuzoi se "VMRO-DPMNE dhe vasalët e saj premtuan integrimin evropian, por e ndaluan procesin dhe e futën vendin nën ndikimin e Serbisë".

 "Zgjedhjet e 19 tetorit, në të cilat do të arrijmë një fitore të madhe, janë një referendum në të cilin Mickoski do të marrë një përgjigje se ne i zgjedhim përfaqësuesit tanë, jo ata të cilët ai i posedon. Do t'i themi se ne vendosim për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë, për gjuhën tonë, ndër të tjera", tha Sela.

 Fjalime mbajtën edhe folës të tjerë, mes të cilëve edhe Talat Xhaferi, deputetja Arbana Pasholi, si dhe kryetari i komunës Hekuran Duka, i cili renditi projektet e zbatuara dhe shtoi se thesari  komunal ka fonde, e  jo  siç e ka trashëguar të zbrazët.

 Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR