Ahmeti kujton ngjarjet e Lubotenit: Kujtojmë me nderim dëshmorët dhe viktimat e pafajshme
- Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka rikujtuar ngjarjet e Lubotenit, ku u vranë 10 civilë shqiptarë në mesin e tyre edhe një fëmijë 6 vjeçar.
- Post By Fami Bajrami
- 13:06, 12 gusht, 2025
Shkup, 12 gusht 2025 (MIA)- Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka rikujtuar ngjarjet e Lubotenit, ku u vranë 10 civilë shqiptarë në mesin e tyre edhe një fëmijë 6 vjeçar.
Ahmeti shkruar se kjo masakër është dëshmi e gjallë e çmimit që shqiptarët kanë paguar për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor.
“Luboteni, 12 gusht 2001, një ditë që nuk shuhet kurrë nga kujtesa jonë kombëtare. Forcat paramilitare vranë mizorisht 10 civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë vetëm 6 vjeç. Kjo masakër është dëshmi e gjallë e çmimit që shqiptarët kanë paguar për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor. Epilogu i saj është vula e luftës së pastër të UÇK-së. Sot, 24 vite më pas, kujtojmë me nderim dëshmorët dhe viktimat e pafajshme, dhe ripërtërijmë zotimin tonë: pa kompromis do të vazhdojmë misionin për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit. Lavdi të rënëve të Lubotenit!”, ka shkruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndryshe, mëngjesin e 12 gushtit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në Luboten ku u vranë 6-vjeçari Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili. Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali ndërkombëtar për krime lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 vjetëve burg.