• e premte, 22 nëntor 2024

Ahmeti: Dita e nesërme është historike, zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar

Ahmeti: Dita e nesërme është historike, zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar

Shkup, 27 janar 2024 (MIA) - Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot pati paraqitje në Fejsbuk ku tha se dita e nesërme është historike sepse në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të zgjedhet kryeministri i parë shqiptar.

Ahmeti, siç tha, shqiptarët kanë ëndërruar për liri dhe barazi. "Besova edhe në Marrëveshjen e Ohrit, si dhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe flamurit shqiptar. Besova, se do të bëhemi pjesë e NATO-s dhe se do të hapim negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Besova edhe se së shpejti do të bëhemi pjesë e BE-së, sepse Shtetet e bashkuara evropiane janë ideali im për të cilin punoj çdo ditë", tha Ahmeti.

Nesër është ditë historike. Nesër, potencoi ai, të dielën, më 28 janar 2024 e zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

"Kjo ditë është historike si për shqiptarët, ashtu edhe për maqedonasit, si dhe për të tjerët, sepse bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe i tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Së bashku, e marrim përgjegjësinë ta udhëheqim shtetin, jo njëri prapa tjetrit, por krah për krahu me tjetrin, së bashku, për një Maqedoni evropiane", tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së iu falënderua qytetarëve që besuan dhe që qëndruan prapa ëndrrës së tyre. Por, thotë Ahmeti, ky nuk është fundi, ky është vetëm fillimi, kemi akoma shumë punë dhe ëndrra për të realizuar.

"Sot, kemi nevojë për bashkim, t'ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit, t'i lëmë anash gjërat që na ndajnë dhe të bashkohemi rreth gjërave që na afrojnë", tha Ahmeti.

Shfaqi bindje se ajo që do të bëhet nesër, do ta definojë jetën e gjeneratave pas nesh.

"A duhet nipërve dhe mbesave tona t'u lëmë një maqedoni evropiane apo Maqedoni proruse, vend demokratik apo diktatorial, paqe dhe konflikt, përparim apo staus kuo? Mu prandaj duhet të bashkohemi", tha Ahmeti. ab/

Printskrin: Ali Ahmeti

 

QËNDRONI TË LIDHUR