• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ageler: Zaevi mori anë për mikun e tij dhe ka të drejtë ta bëjë këtë

Ageler: Zaevi mori anë për mikun e tij dhe ka të drejtë ta bëjë këtë

Shkup, 16 dhjetor 2023 (MIA) - Ambasadorja e SHBA-së, Anxhela Ageler konsideron se ish kryeministri Zoran Zaev i cili i doli në mbrojtje ish zëvendëskryeministrit Koço Angjushev pas vënies së tij në "listën e zezë" për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh, “ka të drejtë ta bëjë këtë dhe të shprehë qëndrimin e tij”.

"Me ish kryeministrin kam folur shumë edhe pse jo së fundmi. Ai u shpreh dhe e përkrahu mikun e tij dhe sigurisht që ka të drejtë ta bëjë këtë. Unë do të them se – ashtu si me vendosjen e Orce Kamçevit dhe organizatave të tij – ajo që kemi parë është se shpesh kur bëhet fjalë për këto etiketime si dhe për korrupsionin, njerëzit me të cilët punoni mund të ndikojë në familjen tuaj. Pra, është absolutisht e drejtë e tij të thotë çfarë të dojë për mikun e tij", tha ambasadorja Ageler gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Stadion” në Kanal 77.

Kur dikush etiketohet nga SHBA, si në rastin e Angjushevit i cili thotë se do të kërkojë një lloj mjeti juridik, Ageler konsideron se është e drejtë e tij, por shton se futja në "listën e zezë" bazohet në procedurë ligjore dhe prova.

"Po përsëris, ne nuk etiketojmë njerëzit në bazë të dyshimeve, nuk etiketojmë njerëzit në bazë të asaj që mendojmë apo ndjejmë për ta, këtu nuk ka asgjë personale. Bëhet fjalë për procedurë ligjore dhe si në të gjitha procedurat ligjore, ata që janë vendosur në listë janë të mirëpritur të angazhojnë avokatë amerikanë dhe të veprojnë në bazë të pakënaqësive të tyre. Mund të them se jemi të sigurt në etiketimin e atij personi për shkak të provave që kemi. Ai mund të merret me të lirisht, por jam i sigurt se ai vendim do të konfirmohet", tha ambasadorja amerikane.

Ajo thekson se fokusi i tyre nuk është vetëm te korrupsioni, por prioritet më i lartë i ambasadës është mbështetja e përpjekjeve të vendit për t'u integruar plotësisht në Evropë.

"Para kësaj Qeverie janë vendosur kërkesa të caktuara, që të mund të vazhdojë më tutje në qasjen drejt BE-së. I inkurajojmë që t'i sjellin ato vendime, qoftë për partitë opozitare apo për Qeverinë që edhe një herë të marrin vendime të vështira dhe të miratojnë dhe përsëri të miratojnë amendamente për të vazhduar përpara. Megjithatë, ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që vendi t'i zbatojë reformat e nevojshme për t'u integruar plotësisht në Evropë, duke përfshirë reformat në gjyqësor, por edhe në shëndetësi, arsim dhe sektorë të tjerë për t'u integruar plotësisht në Evropë. Kjo do ta bëjë vendin më të fuqishëm, më të qëndrueshëm, më prosperues dhe do të sjellë mundësi që njerëzit të mos kërkojnë të largohen nga vendi dhe të kërkojnë mundësi diku tjetër", thotë midis tjerash ambasadorja amerikane, Anxhela Ageler. 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR