Ageler: "Reagimi i menjëhershëm 2025" është dëshmi e qartë e partneritetit të ngushtë dhe në rritje midis dy vendeve
- Nga e hëna deri më 9 qershor, Maqedonia e Veriut është nikoqir i "Reagimit të menjëhershëm 2025" (Immediate response 2025), një komponentë kyçe e stërvitjes shumëkombëshe DEFENDER 2025 me rreth 12,000 trupa pjesëmarrëse në vende të ndryshme të Evropës. Në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e stërvitjes "Reagim i menjëhershëm" do të marrin pjesë mbi 2,000 ushtarë nga vende partnere dhe aleate, përfshirë nga shteti nikoqir, Shtetet e Bashkuara, Mali i Zi, Kosova, Austria, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
- Post By Fami Bajrami
- 16:39, 23 maj, 2025
Shkup, 23 maj 2025 (MIA)- Nga e hëna deri më 9 qershor, Maqedonia e Veriut është nikoqir i "Reagimit të menjëhershëm 2025" (Immediate response 2025), një komponentë kyçe e stërvitjes shumëkombëshe DEFENDER 2025 me rreth 12,000 trupa pjesëmarrëse në vende të ndryshme të Evropës. Në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e stërvitjes "Reagim i menjëhershëm" do të marrin pjesë mbi 2,000 ushtarë nga vende partnere dhe aleate, përfshirë nga shteti nikoqir, Shtetet e Bashkuara, Mali i Zi, Kosova, Austria, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Kjo stërvitje, siç theksohet në komunikatën e ambasadës amerikane teston aftësinë e NATO-s për t'iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë në zhvillim, duke përfshirë sulmet kibernetike, ndërsa shërben si një platformë e rëndësishme për përmirësimin e bashkëpunimit shumëkombësh dhe për të siguruar që forcat pjesmarrëse janë të përgatitura mirë për të ndarë barrën në mjedise komplekse dhe të kontestuara.
"'Reagimi i menjëhershëm 2025' është një demonstrim i qartë i partneritetit të ngushtë dhe në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut. Nëpërmjet trajnimit të përbashkët, angazhimit të komunitetit dhe bashkëpunimit me aleatët tanë të NATO-s, ne forcojmë angazhimin tonë kolektiv për paqen dhe sigurinë. Këto stërvitje rrisin gatishmërinë ushtarake dhe i afrojnë komunitetet tona", deklaroi ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler.

"Reagimi i menjëhershëm 2025", theksohet në kumtesë përkon me 32 vjetorin e Programit të partneritetit shtetëror të Byrosë së Gardës kombëtare ndërmjet Gardës kombëtare të Vermontit dhe Maqedonisë së Veriut.
"Kjo shënon një moment historik të një partneriteti të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta", thekson ambasada.
Në kuadër të ngjarjeve kryesore orkestra e armatës së Gardës kombëtare të Vermontit do t'i bashkohet orkestrit ushtarak të Maqedonisë së Veriut nga 23 maji në orën 11-12 me një takim me nxënës të shkollës së mesme të muzikës në kazermën ushtarake “Goce Dellçev” (Shkup), më 24 maj në orën 13-14 në koncertin në Manastir në sheshin e qytetit “Magnolija”, më 25 maj në orën 12-13 me koncert në Parkun e Frankofonisë në Shkup, ndërsa më 26 maj në orën 11-12 koncert në ceremoninë e hapjes të stërvitjes "Reagim i menjëhershëm 2025" në Kampin “Strella” në Krivollak.

Më 1 qershor nga ora 10-12 prezantim do të ketë në sheshin e qytetit në Kavadar, me armë, automjete, pajisje ngjitjeje, robotë për zbulimin e minave, pajisje taktike, drone dhe lojëra në natyrë me pjesëmarrje nga Shqipëria, Austria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe SHBA, ndërsa më 2 qershor ngjarje shumëkombëshe me zjarr të drejtpërdrejtë, Dita e mediave dhe mysafirëve të lartë në Krivollak.
"SHBA dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë partneritetin e tyre në mbrojtje, arsim, sipërmarrësi dhe shoqërinë civile, duke mbështetur zhvillimin institucional dhe aftësitë e sigurisë të Maqedonisë së Veriut. Të dy vendet mbeten të fokusuara në zgjërimin e bashkëpunimit në energji, mbrojtje, tregti dhe shkëmbim kulturor, duke siguruar prosperitet dhe siguri afatgjate. 'Reagimi i menjëhershëm 2025' ilustron paqen përmes fuqisë duke rritur gatishmërinë dhe mbrojtjen kolektive të NATO-s", theksohet në komunikatë.
Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-majori Sashko Llafçiski ditë më parë tha se kjo stërvitje është një prej më të mëdhave deri më tani në shtet, në të cilën marrin pjesë rreth 2200 ushtarë nga shtatë vende të NATO-s dhe dy vende partnere.
"Stërvitja mes tjerash ka për qëllim ta përmirësojë interoperabilitetin mes forcave aleate dhe ato partnere si dhe veprim të përbashkët në kushte të ndërlikuara dhe reagim të shpejtë të focave në pjesën lindore të Evropës", theksoi Llafçiski në brifingun me gazetarë.

Bashkë-drejtori i stërvitjes, nënkoloneli Risto Stoev sqaroi se skenari i stërvitjes, e cila është pjesë e serialit të stërvitjes "Defender 25" është demonstrimi i aftësive të sigurisë dhe përforcimi i mbrojtjes kibernetike përmes realizimit të qitjeve multinacionale artilerike, stërvitjes kibernetike, kalimin përmes lumit dhe stërvitje ABHO. Theksoi se stërvitja do t'i konfirmojë kapacitetet dhe aftësinë për organizim dhe koordinim të stërvitjeve të mëdha së bashku me armatat e tjera të NATO-s.
Në stërvitjen në PA Krivollak do të marrin pjesë Maqedonia e Veriut me 950 pjesëtarë të Armatës, SHBA-ja me 710, Mali i Zi me 185 pjesëmarrës, Kosova me 150, Austria me 70, Greqia me 50, Shqipëria me 30, Italia 30 dhe Mbretëria e Bashkuar me dy pjesëmarrës.
Të gjitha njësitë do të përdorin pajisje formacioni, ndërsa ndër më të rëndësishmet do të jenë tanket Leopard, helikopterët luftarak "AN-64 APACHE", helikopterët transportues mjekësorë Black Haëk, automjeti inxhinierik "Haski", minahedhës 120-milimetërsh, helikopter transportues Mi 8/17 dhe automjete të blinduara JLTV dhe HMMËV. Në stërvitje do të përdoret municion standard manovrues dhe artilerik këmbësorik.
Foto: arkivi i MIA-s