• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ageler: Më e rëndësishme është çka do të punoni këtu, e jo çka thotë Radevi

Ageler: Më e rëndësishme është çka do të punoni këtu, e jo çka thotë Radevi

Shkup, 20 korrik 2023 (MIA) - Nuk kam biseduar as me Eskobarin pas prononcimit të tij, as me Radevin, por nuk është me rëndësi që të përqendrohemi në atë që ata e thonë, por në atë që është bërë këtu, sepse në fund të ditës, nëse njerëzit këtu janë të përkushtuar në BE nuk është me rëndësi çka thonë Gabrieli ose Radevi, deklaroi ambasadorja amerikane Anxhela Ageler, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për media në Ambasadën e SHBA-së në Shkup.

Në pyetjen e MIA-s që të japë koment për deklaratat e fundit të të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar në të cilën ai paralajmëron angazhim me Qeverinë e re bullgare që të parandalohen bllokadat e mëtutjeshme të integrimit të vendit në BE dhe të deklaratës së presidentit bullgar, Rumen Radev se ndryshimet kushtetuese janë vetëm hapi i parë nga vargu i kërkesave të cilat do të vijojnë më tutje, Ageler theksoi se ajo që është me rëndësi për qytetarët dhe për procesin e integrimeve evropiane është që shteti të përqendrohet në atë që ai duhet ta bëjë në atë rrugë. 

"Edhe pse shumë gjëra thuhen në këtë vend, në Bullgari, në vendet e tjera të rajonit, megjithatë, të gjithë duan ta shohin vendin që të ecë  drejt anëtarësimit në BE", tha Ageler.

Ajo theksoi se Eskobari po mban kontakte intensive dhe flet me të gjithë faktorët në procesin këtu dhe se shpresa e tij më e madhe është se Maqedonia e Veriut dhe rajoni po bëjnë gjithçka që munden që të lëvizin drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. 

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel dje në debatin për Ballkanin Perëndimor para Nënkomitetit të Politikës së Jashtme në Kongresin e SHBA-së, tha se Uashingtoni e mbështet procesin për ndryshimet kushtetuese i cili duhet ta mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa është angazhuar edhe me Qeverinë e Bullgarisë që të sigurohet se nuk do të parashtrojë kërkesa të reja.

"Që t'i avancojë aspiratat e saja për BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që të zbatojë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare. Fuqishëm e mbështesim këtë hap të rëndë, por të nevojshëm, ndërsa gjithashtu jemi të angazhuar me qeverinë e re të Bullgarisë që të sigurohemi se nuk do të parashtrojë kërkesa të reja pasi Maqedonia e Veriut do t'i përmbushë detyrimet e saja nga marrëveshjet ekzistuese", tha Eskobar. 

Presidenti bullgar Radev, dje në një koment për ndryshimet e propozuara të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, tha se ai është hapi i parë shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm, por jo edhe i fundit. 

"Me rëndësi të veçantë është përmbushja e kërkesave në dy protokollet e nënshkruara, të cilat janë pjesë përbërëse e kornizës negociuese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Më në fund është ngritur çështja e garantimit të barazisë kushtetuese të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut", tha Radevi. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR