• e hënë, 23 dhjetor 2024

AFET e shtyu votimin e Raportit për Maqedoninë e Veriut

AFET e shtyu votimin e Raportit për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 24 maj 2023 (MIA) - Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) e ka shtyrë votimin e Raportit për progresin e Maqedonisë së Veriut nga raportuesi i PE-së për vendin, eurodeputeti bullgar Ilhan Qyçuk, i përgatitur sipas raportit të Komisionit Evropian.

Raporti për Maqedoninë e Veriut ishte pika e pestë e seancës së sotme të AFET.

"Pika numër 5 duhet të ishte votim për Raportin për Maqedoninë e Veriut. Është shtyrë, prandaj nuk ka nevojë të diskutohet tani", tha në seancë kryetari i Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian, Dejvid Mekalister.

Në Raportin e Progresit për vendin e raportuesit të PE-së për vendin, eurodeputetit bullgar Qyçuk, të përgatitur pas raportit të KE-së, përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian, ndërsa bëhet thirrje për qetësi, dinjitet dhe pjekuri në  marrëdhëniet dypalëshe.

Dokumentit, në të cilin viti 2030 përmendet si datë kur vendi duhet t'i plotësojë kushtet për anëtarësim në BE, i janë dorëzuar 320 amendamente, 50 prej të cilave janë të eurodeputetëve bullgarë, të cilat duhet të shqyrtohen nga anëtarët e Komitetit për punë të jashtme.

Me amendamentet e tyre, eurodeputetët bullgarë po përpiqen të fusin në raport pikëpamjet dhe kritikat e tyre për vendin, me vlerësime për ekzistencën e "gjuhës së urrejtjes" ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve, si dhe "diskriminim, ngacmim, kërcënime dhe dhunë" ndaj pjesëtarëve të pakicës bullgare. Ndër të tjera, këto ndryshime tentojnë të heqin pjesën e raportit që kërkon që procesi i negociatave të mos abuzohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe në vend të kësaj të vendoset si kusht zbatimi i Traktatit të miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Bullgarinë si kusht për pranimin e vendit në BE.

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, dje në një intervistë për TV 24, në lidhje me prezantimin e sotëm të Raportit për Maqedoninë e Veriut nga gazetari Quçuk dhe 320 amendamentet e dorëzuara, tha se për të gjitha amendamentet janë dhënë reagime me shkrim, pasi që votimi do të shtyhet.

"Ne jemi plotësisht të përfshirë, duke filluar nga vizita ime muajin e kaluar kur takova eurodeputetët, të gjithë të përfshirë në rezolutë. Ne kemi dhënë reagime me shkrim për secilin prej amendamenteve të propozuara, kemi biseduar me të gjitha vendet anëtare për propozimet. Sipas informacioneve të mia nga sot votimi me gjasë do të shtyhet për një javë, gjë që lë më shumë hapësirë, por sigurisht që deputetët kanë mundësi të propozojnë amendamente", tha Osmani.

I pyetur për të komentuar akuzat e Sofjes zyrtare për “gjuhë të urrejtjes të sponsorizuar nga shteti”, Osmani tha se nuk ka një gjë të tillë në Maqedoninë e Veriut dhe se nëse dikush gjen prova, ai do të kërkojë falje.

Në rend dite të mbledhjes së sotme të AFET është edhe votimi për Raportin e progresit të Shqipërisë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR