• e premte, 05 dhjetor 2025

AfD: Merc e pagoi çmimin për intrigat e tij parazgjedhore

AfD: Merc e pagoi çmimin për intrigat e tij parazgjedhore

Berlin, 6 maj 2025 (MIA) - Partia e Djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) mirëpriti mossuksesin e liderit konservator Fridrih Merc të zgjidhet kancelari i ardhshëm i vendit në raundin e parë të votimit në parlament.

Bashkëliderja e AfD-së, Alis Vajdel, tha se rezultati, sipas të cilit Mercit i munguan gjashtë vota nga shumica e nevojshme absolute, e ka treguar "bazën e dobët" mbi të cilën është ndërtuar koalicioni i liderit konservator me Socialdemokratët.

Merc ishte i dëmshëm nga vetë fillimi, tha sekretari i parë i grupit parlamentar të AfD-së, Bernd Bauman, në një video të publikuar në X.

Ai e pagoi "çmimin për të gjitha intrigat e tij në prag të zgjedhjeve, për mashtrimin monstruoz zgjedhor të paparë".

Sipas Baumanit, raundi i ardhshëm i votimit me siguri do të caktohet për të mërkurën.

AfD është partia më e madhe opozitare pasi përfundoi në vend të dytë pas Demokratëve Kristian (CDU) të Mercit në zgjedhjet e parakohshme në shkurt.

Pasi muajin e kaluar ka lidhur marrëveshje të koalicionit me Socialdemokratët (SPD), Merc sot duhej të zgjidhet për kancelar, që është pengesa e fundit për qeverinë e re ta marrë detyrën.

Në prag të votimit, Merc është përballur me kritika, përfshirë edhe nga radhët e tij, me ç'rast disa e akuzuan për zbutjen e qëndrimit partiak për të arritur marrëveshje me SPD-në, lajmëroi DPA. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR