• e premte, 05 dhjetor 2025

Ademi: Këto zgjedhje ishin test i karakterit politik dhe moral në shtet

Ademi: Këto zgjedhje ishin test i karakterit politik dhe moral në shtet

Shkup, 2 nëntor 2025 (MIA) – Nënkryetari dhe zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim i cili është pjesë e Aleancës Kombëtare për Integrim, Arbër Ademi në konferencën e djeshme për media pas përfundimit të votimit i falënderoi të gjithë qytetarët të cilët sot e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike të votës me përgjegjësi dhe dinjitet. 

Sipas Ademit, këto zgjedhje ishin test i karakterit politik dhe moral në shtet. 

“Këto zgjedhje ishin më shumë se garë lokale. Ato ishin test i karakterit politik dhe moral të shtetit. Ne u përballëm me sukses me një fushatë të pandershme dhe të paligjshme, e cila njollosi procesin dhe shkeli barazinë e procesit zgjedhor. Jemi dëshmitarë të blerjes masive të votave, asfaltit të zgjedhjeve, betonimit brenda natës, keqpërdorimit të burimeve publike dhe ndërhyrjes brutale të aparatit shtetëror në interes të qeverisë. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre keqpërdorimeve, qytetarët treguan se dinë t'i njohin dhe nuk lejuan që këto metoda të errëta të shtrembërojnë rezultatin në rrethin e parë. Prandaj, jemi të bindur se ata nuk do të kenë sukses ta shtrembërojnë atë as tani në rrethin e dytë. Besimi ynë është te qytetari, te fuqia e votës së lirë dhe te dinjiteti i njeriut që nuk shitet për lumenj çimentoje, një rrugë të shtruar me nxitim apo kontratë të përkohshme”, tha ai.

Në këtë fazë të ndjeshme të procesit, theksoi Ademi, i dërgojmë thirrje të drejtpërdrejtë çdo anëtari të komisionit zgjedhor, çdo vëzhguesi dhe çdo institucioni kompetent me ndershmëri dhe me profesionalizëm më të lartë, përgjegjësi që ta garantojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor. 

“Çdo votë është e shenjtë dhe çdo përzierje është përzierja në të ardhmen e shtetit. AKI mbetet fuqishëm e përkushtuar në rrugën e ndryshimeve, të dinjitetit qytetar dhe në krijimin e shoqërisë në të cilën pushteti merret me besim, ndërsa jo me presion. Rruga jonë është e qartë – rruga e demokracisë, barazisë dhe integrimit evropian. Ne do ta mbrojmë atë rrugë me vendosmëri, me qetësi dhe dinjitet”, theksoi Ademi. fc/

Foto: Printskrin nga video

QËNDRONI TË LIDHUR