• e premte, 21 shkurt 2025

Кonkurs publik për çmimet vjetore të SHGM-së

Кonkurs publik për çmimet vjetore të SHGM-së

Shkup, 20 shkurt 2025 (MIA) - Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka publikuar konkurs publik për ndarjen e çmimeve vjetore. SHGM çdo vit ndan dy çmime për gazetarët, çmimi “Kërste Petkov Misirkov” për vepër jetësore dhe çmimi “Jashar Erebara” për gazetari hulumtuese. Përveç këtyre çmimeve, SHGM do të ndajë edhe një çmim për raportimin më të mirë gazetaresk mbi tema me rëndësi lokale dhe rajonale dhe një çmim për projektin më të mirë filmik me interes publik për vitin 2024.

Nga SHGM njoftuan se për çmimin për vepër jetësore, kandidatët mund të aplikojnë vetë ose me propozim nga tre gazetarë. Përveç të dhënave personale të kandidatit dhe një biografi të shkurtër, në aplikim duhet të përfshihet edhe një arsyetim për arritjet e kandidatit, të cilat kanë lënë gjurmë të veçanta në gazetarinë e Maqedonisë së Veriut.

Kandidatët për çmimin vjetor për gazetari hulumtuese aplikojnë vetë ose me propozim nga tre gazetarë. Produktet mediatike duhet të jenë hulumtime gazetareske serioze, të botuara gjatë vitit 2024 në mediat e Maqedonisë së Veriut, të dedikuara çështjeve të rëndësishme për komunitetin e gjerë. Artikujt duhet të zbulojnë keqpërdorime të pushtetit, si dhe shkelje të të drejtave dhe lirisë së njeriut. Ato duhet të jenë origjinale dhe të mbështetura me fakte të verifikuara nga burime të ndryshme informacioni.

Kandidatët për çmimin për raportimin më të mirë gazetaresk mbi tema me rëndësi lokale dhe rajonale për vitin 2024 duhet të punojnë ose të jenë të angazhuar në mediat lokale dhe rajonale, ose të jenë korrespondentë për mediat kombëtare jashtë qytetit të Shkupit. Aplikimi për këtë kategori mund të dorëzohet nga vetë gazetari ose me propozim nga tre gazetarë.

Kandidatët për çmimin për projektin më të mirë filmik me interes publik për vitin 2024 duhet të jenë anëtarë të SHGM-së dhe të Seksionit të Kameramanëve të SHGM-së; projekti filmik duhet të ketë përmbajtje informative me interes publik të lartë, si dhe të jetë botuar në një medium vendas (tradicional ose digjital). Aplikimi për këtë kategori mund të dorëzohet nga vetë kameramani ose me propozim nga tre kameramanë.

Siç bëjnë të ditur nga SHGM, në aplikimin për çmimin për gazetari hulumtuese dhe raportim gazetaresk mbi tema me rëndësi lokale dhe rajonale, si dhe për çmimin për projektin më të mirë filmik me interes publik për vitin 2024, duhet të përfshihet një lidhje funksionale e publikimit, ndërsa nëse materiali dorëzohet personalisht në zyrat e SHGM-së, ai duhet të jetë i shtypur ose ruajtur në USB. Aplikimet për këto kategori të çmimeve duhet të përmbajnë deri në dy produkte gazetareske, respektivisht produkte filmike, të publikuara gjatë vitit të kaluar.

"Aplikimet duhet të dorëzohen tek SHGM, deri më 21 shkurt 2025 në adresën elektronike contact@znm.org.mk. Lëndë e porosisë elektronike duhet të jetë “PËR ÇMIMIN E SHGM-së 2024“ dhe çdo aplikant do të marrë një konfirmim. Me postë të rekomanduar, adresuar te: Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Gradski Zid, blloku 13, 1000 Shkup, RMV ose aplikimet duhet të shënohen me:  “PËR ÇMIMIN E SHGM-së 2024“ në subjektin e email-it ose të shkruar në zarf", bëhet e ditur në kumtesë.

Nga Shoqata thonë se fituesi i çmimit për vepër jetësore do të marrë një plaketë, ndërsa për tre kategoritë e tjera (për storjen më të mirë hulumtuese, raportimin më të mirë gazetaresk mbi tema me rëndësi lokale dhe rajonale për vitin 2024, si dhe për projektin më të mirë filmik me interes publik për vitin 2024) fituesit do të marrin plaketa dhe shpërblime në para në shumën prej 1.000 euro për çmim, në kundërvlerë denari.

Zgjedhja e fituesve do të bëhet nga Komisioni i Çmimeve të SHGM-së. fc/

Fotografia: SHGM 

QËNDRONI TË LIDHUR