• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vjosa Osmani: Suspendimi i vendimit për heqjen e vizave për kosovarët do të vriste dialogun me Beogradin

Vjosa Osmani: Suspendimi i vendimit për heqjen e vizave për kosovarët do të vriste dialogun me Beogradin

Prishtinë, 30 gusht 2023 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot deklaroi se suspendimi eventual i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të shkatërrojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit francez Emanuel Makron, i cili dje tha se vendi i tij do të rishikojë angazhimet e tij lidhur me çështjet ekonomike dhe politikën e vizave për Kosovën dhe Serbinë, “nëse ata sillen me përgjegjësi”.

"Do të thosha se kjo është një mënyrë për të vrarë njëherë e përgjithmonë dialogun. Nëse dikush dëshiron ta ndalë dialogun, le të marrë masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Këto masa nuk janë kundër asnjë lideri, nuk janë kundër politikës, janë kundër popullit të Kosovës, tha ajo gjatë një vizite në monumentin e të zhdukurve në Prishtinë.

Ajo shtoi se kjo do të ishte një dënim i paprecedentë, që do të ishte një padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës dhe që do të rezultonte me vdekjen e dialogut.

Askush nuk ka mandat të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës dënohet, ka theksuar Osmani.

Presidentja e Kosovës theksoi se më 1 shtator do të përgatiten udhëzime për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës, sapo të krijohen kushtet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. 

Ajo po ashtu shprehu pritjen që në takimin e radhës të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “Bashkimi Evropian do të konstatojë se janë përmbushur kërkesat e tij dhe se janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e masave kundër Kosovës të cilat janë të padrejta”.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së një takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në shtator. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR