Është zgjedhur kontraktori për ndërtimin e Sallës Universale
- – Ministria e Kulturës dhe Turizmit informon se ka përfunduar procedura për zgjedhjen e kontraktorit për realizimin e projektit për rikonstruimin e objektit të Sallës Universale në Shkup. Sot është marrë Vendim për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm pas furnizimit publik për “Realizimin e punëve ndërtimore dhe artizanale dhe enterierit të objektit Salla Universale në Shkup – sipas parimit të ndërtimit Çelësi në dorë”.
- Post By Fitore Curri
- 12:35, 18 tetor, 2025
Shkup, 18 tetor 2025 (MIA) – Ministria e Kulturës dhe Turizmit informon se ka përfunduar procedura për zgjedhjen e kontraktorit për realizimin e projektit për rikonstruimin e objektit të Sallës Universale në Shkup. Sot është marrë Vendim për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm pas furnizimit publik për “Realizimin e punëve ndërtimore dhe artizanale dhe enterierit të objektit Salla Universale në Shkup – sipas parimit të ndërtimit Çelësi në dorë”.

Pas përfundimit të afateve ligjore për ndarjen e marrëveshjes, siç bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, do të nënshkruhet marrëveshja për realizim, ndërsa pas përmbushjes së të gjitha parakushteve të nevojshme për fillimin e ndërtimit dhe vendosjen e kontraktorit në punë, do të vijojë fillimi zyrtar i aktiviteteve ndërtimore.
Afati për realizimin e projektit është paraparë deri në dhjetor të vitit 2027. Furnizimi realizohet sipas parimit Çelësi në dorë, që nënkupton se në afatin e paraparë objekti do të ndërtohet në tërësi, do të rregullohet dhe përgatitet për shfrytëzim, gjegjësisht për mbajtjen e koncerteve, ngjarjeve dhe përmbajtjeve të tjera kulturore.
Nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit përkujtojnë se pas marrjes së objektit të Sallës Universale nga Qyteti i Shkupit, ndërsa veçanërisht pas zjarrit të shkaktuar, Ministria ka zbatuar një varg aktivitetesh me qëllim të realizimit me sukses të projektit për rikonstruimin e saj.

Si pjesë e këtyre aktiviteteve, Ministria përmes ndryshimeve dhe plotësimeve të dokumentacionit projektues të ndërmarrë nga Qyteti i Shkupit, ka siguruar dokumentacion të plotë të ri projektues në nivel të projektit themelor për rikonstruim të Sallës Universale.
“Ky projekt ishte prezantuar para publikut në Maqedoninë e Veriut, ndërsa me realizimin e tij do të ruhet kujtimi dhe memoria kolektive për objektin, ndërsa njëherësh do t’i jepet edhe karakter i ri, bashkëkohor dhe karakter shumëfunksional”, thonë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Manifestimi “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028” përveç se në objektet e tjera nga sfera e kulturës në qytet do të realizohet edhe në Sallën Universale të rinovuar, e cila përsëri do të bëhet një nga vendet e preferuara për ngjarje kulturore dhe tubime të qytetarëve. fc/
Foto: Ministria e Kulturës dhe Turizmit