• e hënë, 23 dhjetor 2024

Është rritur numri i kërcënimeve të rreme terroriste në Belgjikë pas vrasjes së tifozëve suedezë në Bruksel

Është rritur numri i kërcënimeve të rreme terroriste në Belgjikë pas vrasjes së tifozëve suedezë në Bruksel

Bruksel, 22 tetor 2023 (MIA) - Pas sulmit të së hënës në mbrëmbje në Bruksel në të cilin një emigrant nga Tunizia vrau dy tifozë suedezë të futbollit, policia belge ka evidentuar rritje eksponenciale të kërcënimeve të rreme terroriste në vend, njoftoi "Bruksel tajms".

Sipas policisë, edhe pse një dukuri e tillë pritet, ata megjithatë duhet t'i kontrollojnë të gjitha denoncimet. 

"Tashmë e përjetuam këtë me alarme të rreme pas sulmeve në Bruksel në vitin 2016", deklaroi një përfaqësues i policisë për televizinin shtetëror RTBF. 

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ndër raportimet e rrejshme ishin edhe ato se një person i armatosur është parë në një tramvaj në Bruksel, pastaj se një person i veshur me jelek me eksploziv është parë duke vozitur një furgon nëpër rrugët e Brukselit, si dhe kërcënime për bomba në Institutin "Sent Mari" në qytetin e Luvier dhe në disa shkolla në provincën e Brabantit flaman. Pas kontrolleve të policisë është konstatuar se bëhet fjalë për raportime të rreme.

Policia përkujton madje edhe se kur bëhet fjalë për alarme të rreme ata duhet t'i ndjekin procedurat, kështu ishin bërë evakuime të të pranishmëve në Institutin "Sent Mari" dhe në shkolla për të cilat ishin pranuar alarme për bomba të vendosura. 

Personat që bëjnë kërcënime të rreme me bomba, sipas ligjit belg, mund të përballen me dënim me burg nga tre muaj deri në dy vjet dhe  gjobë deri në 1.800 euro, si dhe t'i paguajnë shpenzimet gjyqësore që mund të jenë të konsiderueshme.

Sipas profesorit të psikologjisë sociale në Universitetin e Lirë të Brukselit (ULB), Olivie Klajn, raportet e rreme pas një sulmi si ai i së hënës janë "reagim i natyrshëm ndaj ngjarjes".

"Sulmet inkurajojnë pamje të ndryshme të botës. Ata na bëjnë ta shohim botën më shumë nga këndi i kërcënimeve dhe ne i interpretojmë gjërat përreth nesh sipas kësaj kornize... Ne e interpretojmë realitetin shumë më tepër nga këndi i rrezikut dhe kërcënimit", tha Klajn për RTBF.

Sipas tij, studimet shkencore tregojnë se kur "mendja është në një kornizë të tillë, mund të na shtyjë të mbivlerësojmë rrezikun e gjërave krejtësisht të padëmshme", ndërsa kjo gjithashtu inkurajon stereotipet racore.

"Studimet në SHBA tregojnë se ekziston tendencë që shumë më shpesh të paramendohet pistoletë në duart e një njeriu me ngjyrë, se sa në duart e një njeriu të bardhë", shtoi Klajn. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR