Është hapur procedurë hetimore kundër 27 personave fizikë dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin në Koçan
- Prokuroria Themelore Publike e Koçanit gjatë natës ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër 27 personave fizik dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin katastrofik në Koçan, informojnë nga Prokuroria Publike e RMV-së.
- Post By Fami Bajrami
- 11:04, 21 mars, 2025

Shkup, 21 mars 2025 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike e Koçanit gjatë natës ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër 27 personave fizik dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin katastrofik në Koçan, informojnë nga Prokuroria Publike e RMV-së.
Detajet për hetimin, të dyshuarit dhe masat e propozuara për siguri, siç është paralajmëruar do të kumtohen sot pasdite në një konferencë për media para ndërtesës së PTHP Koçan.
Gjykata Themelore në Koçan, më herët ka marrë vendim me të cilin u shqiptua 30 ditë paraburgim për 13 persona mes të cilëve edhe për ish ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Për gjashtë të dyshuarit e tjerë për të cilët më herët u caktua gjithashtu masa e paraburgimit afatshkurtër prej 48 orë, gjykata do të vendosë gjatë ditës.
Prokuroria dhe policia mbrëmë kanë zhvilluar aksion për arrestimin e personave të dyshuar për të cilët ekziston dyshim për involvim në zjarrin, pas çka Prokuroria publike paralajmëroi se sot do të japë informacion. Me aktivitetet hetimore deri para arrestimit të tre ish kryetarëve të komunave u përfshinin 28 persona.
Tashmë është hapur hetim dhe është caktuar paraburgim prej 30 ditësh për shtatë nëpunës zyrtarë, punonjës të SPB së Shtip dhe Koçan të cilët dyshohet se si bashkëpunëtorë, duke përgatitur, nënshkruar dhe miratuar pëlqim pozitiv i kanë mundësuar personit juridik që të pajiset me licencë për kryerjen e veprimtarive hotelerike – kabare edhe pse objekti nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për punë.
Në zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan më 16 mars jetën e humbën 59 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan. Viktimat të cilët janë të moshës prej 16 deri në 48 vjeç, dje janë varrosur në Koçan, Shtip, Strumicë dhe Shkup. rq/
Foto: EPA/MIA