Është hapur këndi i fëmijëve në INP Idrizovë me mbështetje të BE-së dhe Këshillit të Evropës
- – Institucioni Ndëshkues – Përmirësues i Idrizovës, burgu më i madh në Maqedoninë e Veriut, u pajis me një kënd të veçantë për fëmijë të dedikuar për vizitorët e vegjël dhe familjet e personave të dënuar. Këndi, i cili ndodhet në hapësirën e vizitave, si një mjedis i sigurt dhe i ngrohtë që përdoret gjatë vizitave familjare, u hap sot nga përfaqësues të institucioneve kompetente, Delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe Këshillit të Evropës.
- Post By Fitore Curri
- 18:50, 21 nëntor, 2025
Shkup, 21 nëntor 2025 (MIA) – Institucioni Ndëshkues – Përmirësues i Idrizovës, burgu më i madh në Maqedoninë e Veriut, u pajis me një kënd të veçantë për fëmijë të dedikuar për vizitorët e vegjël dhe familjet e personave të dënuar. Këndi, i cili ndodhet në hapësirën e vizitave, si një mjedis i sigurt dhe i ngrohtë që përdoret gjatë vizitave familjare, u hap sot nga përfaqësues të institucioneve kompetente, Delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe Këshillit të Evropës.
Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov e theksoi rëndësinë e këtij këndi në procesin e risocializimit, veçanërisht që Idrizova është burgu i vetëm ku dënimet i vuajnë edhe të burgosura.

"Përfitimet reale të këtij donacioni janë shumë më të mëdha se vlera financiare", deklaroi Pandov, duke falënderuar BE-në dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Në fjalimin e tij, Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut përkujtoi në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ku theksohet nevoja e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve në burgje, veçanërisht në burgun Idrizovë, informojnë nga Zyra e Këshillit të Evropës.

"Përmirësimi i kushteve në burgje nuk është vetëm kërkesë në raportin e fundit të Komisionit Evropian - është përgjegjësi e shtetit ndaj çdo personi që hyn në këto ambiente, përfshirë fëmijët. Ky kënd i ri është një hap i vogël, por domethënës drejt një sistemi më human ku mbrohet dinjiteti dhe ku vizitat familjare janë më të sigurta dhe më të lehta. Shpresojmë që kjo do të inkurajojë përpjekjet e vazhdueshme për të rritur standardet në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit", deklaroi Nupnau.
Donçe Boshkovski, udhëheqës i departamentit II, Departament për bashkëpunim në temën polici dhe privim nga liria, Këshilli i Evropës shfaqi shpresë se me këtë kënd të fëmijëve do të përsëritet suksesi i cili tashmë është arritur në këndet e ngjashme të cilët janë pajisur përgjatë vendit.

“Kjo nismë pasqyron përpjekjet e autoriteteve për të zbatuar rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga viti 2018, në lidhje me nevojat e fëmijëve, prindërit e të cilëve po vuajnë dënime me burg”, tha Boshkovski.
Nisma po zbatohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë" gjegjësisht projektit "Forcimi i Kapaciteteve të Sistemit Penitenciar në Maqedoninë e Veriut", në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe INP Idrizovë, të cilët kontribuuan duke lyer muret dhe duke përshtatur hapësirat. fc/
Foto: Zyra e Këshillit të Evropës