• e premte, 05 dhjetor 2025

Çekia dhe Sllovenia dërgojnë ndihmë për ballafaqim me zjarret në Maqedoninë e Veriut

Çekia dhe Sllovenia dërgojnë ndihmë për ballafaqim me zjarret në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 28 korrik 2025 (MIA) - Republika e Çekisë dhe Republika e Sllovenisë dërgojnë ndihmë ndërkombëtare për ballafaqim me zjarret aktive në disa rajone në shtet. Ndihma përfshin helikopter për shuarjen e zjarreve nga Çekia dhe ekip prej 50 zjarrfikësve sllovenë me pajisje të specializuar, informoi drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Stojanço Angellov.

"Para pak kohe kemi marrë një ofertë për ndihmë me një helikopter të madh nga Republika Çeke, të cilën e pranuam menjëherë. Helikopteri do të fluturojë nesër në mëngjes dhe do të jetë në aeroportin e Shkupit gjatë ditës, e menjëherë pas kësaj do të dërgohet aty ku nevojitet më së shumti. Gjithashtu, sot morëm një ofertë për ndihmë nga Sllovenia, me 50 zjarrfikës me automjete speciale për shuarjen e zjarreve në pyje, e pranuam edhe këtë ndihmë. Sllovenët do të nisen nesër rreth mesditës, ndërsa nesër vonë në mbrëmje do të mbërrijnë në Berovë, ku do të akomodohen dhe do t'u japin mbështetje zjarrfikësve të Berovës dhe shërbimeve tjera, që po marrin pjesë në shuarjen e zjarrit të madh në malin Goten në anën e Berovës", tha Angelov.

Ai shtoi se sonte në ora 21 u caktua seanca e Shtabit të krizës në Berovë.

Sipas të dhënave të Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), deri në ora 18 sot janë regjistruar gjithsej 20 zjarre në ambient të hapur, prej të cilëve 10 janë aktivë, pasë janë vendosur nën kontroll, ndërsa pesë janë shuar.

Drejtoria për punë hidrometeorologjike (DPHM) paralajmëroi të reshura eventuale të shiut gjatë natës në pjesët verilindore dhe lindore të shtetit, të cilat mund të kontribuojnë për stabilizimin e gjendjes në terren. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR