• e diel, 22 dhjetor 2024

Çadikovski për MIA-n: Po dalim në protestë për të thënë se gazetaria është e mirë publike, kushtet e punës duhet të jenë dinjitoze

Çadikovski për MIA-n: Po dalim në protestë për të thënë se gazetaria është e mirë publike, kushtet e punës duhet të jenë dinjitoze

Shkup, 16 shkurt 2023 (MIA) - E ndjejmë se gjërat nuk po lëvizin, po qëndrojnë në një vend, madje edhe po përkeqësohen, ndërsa ligjet e rëndësishme për mediat nuk zbatohen. Funksionarët publikë edhe sot kanë sjellje nënçmuese ndaj gazetarëve dhe kameramanëve. Po dalim të themi se gazetaria është e mirë publike dhe se kushtet në të cilat punojnë gazetarët duhet të jenë dinjitoze, potencoi në një deklaratë për MIA-n kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, me rastin e marshit të sotëm për mbrojtjen e dinjitetit të gazetarëve, që SHGM-ja e organizon me Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM).

Sipas Çadikovskit, vetë fakti që sot dalin në marsh protestues flet se duhet edhe shumë të bëhet që të kemi gazetari dinjitoze. Marshi do të fillojë para ndërtesës së Qeverisë, ndërsa punonjësit mediatikë do të lëvizin drejt Kuvendit të RMV-së.

Siç sqaron kryetari i SHGM-së, qëllimi është të dërgojnë mesazh se kërkojnë respekt ndaj profesionit të gazetarëve dhe ndryshime për më mirë.

"Do të jemi të zëshëm, të dukshëm dhe më e rëndësishmja të bashkuar. Pres që të jenë prezent edhe kolegët e mi, sepse këto çështje që ne i theksojmë nuk janë të rëndësishme vetëm për SHGM-në apo SPGPM-në, ato janë të rëndësishme për të gjithë ne, gazetarët, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të medias, janë të rëndësishme për qytetarët, që ne të mos i zhgënjejmë pritshmëritë e tyre", shton ai.

Sipas Çadikovskit, funksionarët publikë edhe sot dinë të kenë qëndrim nënçmues ndaj gazetarëve dhe kameramanëve, PR-i agresiv shtetëror e mori punën e gazetarëve, mediat lokale dhe rajonale janë në kufijtë e mbijetesës, ndërsa siguria e gazetarëve nuk është në nivelin që do të dëshironim të ishte.

Marshi i gazetarëve organizohet kur Shoqata feston 77 vjetorin e ekzistencës. Çadikovski thekson se është fakt se kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e të gjithë aktorëve, në mënyrë që të krijohet një ambient për punë më cilësore të punëtorëve mediatik, por mbi të gjitha, bartësit e funksioneve publike dhe politikanët duhet ta kuptojnë se nuk duhet të na injorojnë apo nënvlerësojnë. Jo për ne, por për hir të qytetarëve dhe publikut që ne e përfaqësojmë", porosit Çadikovski.

Gazetaria sot nuk është imune ndaj trendeve shoqërore. Mediat e reja digjitale zënë gjithnjë e më shumë hapësirë se mediat tradicionale. Sipas kryetarit të SHGM-së, gazetaria po kalon transformime serioze vitet e fundit të diktuara nga teknologjitë e reja.

Ai është decid se zgjedhjet e fundit të SHGM-së, të cilat konsiderohen si më masivet ndonjëherë, tregojnë se gazetaria si profesion ka kapacitet për të ngritur solidaritetin mes gazetarëve në një nivel shumë më të lartë dhe ka çështje për të cilat ata mund të bien dakord. Sidomos, siç thotë ai, për çështjet për të cilat duhet të ketë konsensus.

“Askush, më së paku politikanët, nuk guxon të luajë me gazetarinë dhe ajo që është më e rëndësishme, duhet të na trajtojnë me respekt, në të kundërtën fyen qytetarët dhe opinionin që ne e përfaqësojmë”, porosit Çadikovski.

Mbështetje për SHGM-në për marshin për mbrojtjen e dinjitetit gazetaresk u dha nga rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8.200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor. Në një deklaratë të përbashkët mbështetje për marshin dhe urimet për 77 vjetorin e SHGM-së, anëtare e këtij rrjeti, shprehën shoqatat e gazetarëve në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Serbi, si dhe Sindikata e Mediave e Malit të Zi. shk/

 

QËNDRONI TË LIDHUR