Çaçarova – Ilievska: Interpelancë ndaj një anëtari të Këshillit gjyqësor është akt i palejueshëm dhe antikushtetues
- Interpelanca ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët i zgjodhi Kuvendi është e palejueshme. Jo vetëm që nuk është e lejueshme, por ky akt paraqet precedent në demokracinë parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut deri më sot. Për më shumë se 30 vjet nuk ka ndodhur që Kuvendi të ketë dorëzuar interpelancë për një anëtar të Këshillit Gjyqësor, deklaroi anëtarja e Këshillit Gjyqësor Tanja Çaçarova - Ilievska, pas seancës së sotme të rregullt të Këshillit.
- Post By Fami Bajrami
- 15:03, 11 mars, 2025

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Interpelanca ndaj pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor të cilët i zgjodhi Kuvendi është e palejueshme. Jo vetëm që nuk është e lejueshme, por ky akt paraqet precedent në demokracinë parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut deri më sot. Për më shumë se 30 vjet nuk ka ndodhur që Kuvendi të ketë dorëzuar interpelancë për një anëtar të Këshillit gjyqësor, deklaroi anëtarja e Këshillit gjyqësor, Tanja Çaçarova - Ilievska, pas seancës së sotme të rregullt të Këshillit.
Në lidhje me debatin e sotëm i cili po mbahet paralelisht në Shtëpinë ligjvënëse, ku deputetët votojnë për interpelancat kundër pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor, Çaçarova-Ilievska tha se nuk do të marrë pjesë, duke theksuar se interpelanca e një anëtari të Këshillit gjyqësor është akt i kundërligjshëm dhe antikushtetues.
"Qëndrimi im është, pretendoj se jam në të drejtë, se interpelanca e një anëtari të Këshillit gjyqësor është e paligjshme dhe akt antikushtetues. Shoh në interpelancë se parashtruesit e saj i referohen, ndërsa këtë e dëgjojmë vazhdimisht në media, për të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë për të paraqitur interpelancë, në kuptim të nenit 72 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, në kuptimin e nenit 68, paragrafi 1, pika 15, ka një zgjidhje tjetër kushtetuese. Aty qëndron se një interpelancë mund të bëhet kundër çdo bartësi të funksionit publik që përgjigjet para Kuvendit. Anëtarët e Këshillit gjyqësor, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Këshillin gjyqësor i cili është "lex specialis" dhe në të cilit i referohet Kushtetuta në lidhje me çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me Këshillin gjyqësor, përkatësisht përbërjen e Këshillit gjyqësor, mandatin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, kompetencat e Këshillit gjyqësor, kushtet dhe procedurën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor përgjegjësia e anëtarit të Këshillit gjyqësor, janë çështje të cilat konform me Kushtetutën, në mënyrë më specifike dhe më të prerë shpjegohen dhe rregullohen me Ligjin për Këshillin gjyqësor", tha Çaçarova - Ilievska.
Deputetët, shtoi ajo, nuk kanë të drejtë kushtetuese për një akt të tillë, pasi siç sqaroi në Kushtetutë ekzistojnë dispozita në nenet 104 dhe 105 të zëvendësuara me amendamentet 28 dhe 29 ku saktë rregullojnë çështjet kyçe që kanë të bëjnë me Këshillin gjyqësor.
"Mbrëmë rastësisht në një nga televizionet pata rastin të dëgjoj një nga deputetët i cili tha në një emision debativ se ishte "e drejtë e natyrshme" që ai që ju zgjedh t’ju shkarkonte. Shikoni në ligj ne nuk kemi të drejtë natyrore, në ligj kemi gjendje normale, çështje normale, të drejta dhe përgjegjësi normale, kështu që Kushtetuta i ka kushtuar dispozita të mjaftueshme neneve 104 dhe 105 të zëvendësuara me amendamentet 28 dhe 29, çështjet kyçe që kanë të bëjnë me Këshillin gjyqësor janë të rregulluara saktësisht, të përpunuara në Ligjin për Këshillin gjyqësor dhe deputetët, për fat të keq, nuk kanë të drejtë kushtetuese për një akt të tillë", shtoi Çaçarova - Ilievska.
Tha se me interpelancën e paraqitur vetëm ndaj pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor, jo vetëm që është cenuar një nga vlerat themelore të rendit kushtetues, ndarja e pushteteve në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, por siç tha, është shkelur edhe parimi bazë i barazisë së anëtarëve të Këshillit.
"Ligji për Këshillin gjyqësor nuk bën dallime ndërmjet anëtarëve varësisht nëse zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve apo nga Kuvendi, ndërsa me ato bëhet diskriminimi ndërmjet anëtarëve të Këshillit gjyqësor, gjë që është e palejueshme. Deputetët të cilët janë përfaqësues të pushtetit ligjvënës, duhet të respektojnë edhe Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat Kuvendi i ratifikon dhe vepron në përputhje me to", tha Çaçarova - Ilievska.
Në Kuvend zhvillohet seanca e 40-të, ku në rend dite janë pesë interpelanca për punën e anëtarëve të Këshillit gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi - Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovska, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Selim Ademi. Inciativa e dorëzuar më 7 shkurt u mbështet nga 67 deputetë nga shumica qeverisëse, por ata do të duhet të vendosin vetëm nëse do të largohen nga detyra, ndërsa kësisoj imponon Ligji për Këshillin gjyqësor. rq/
Foto: MIA