• e premte, 05 dhjetor 2025

 Fajnans think: Rritja në tremujorin e dytë u përshpejtua lehtë, por nuk krijoi vende të reja pune

 Fajnans think: Rritja në tremujorin e dytë u përshpejtua lehtë, por nuk krijoi vende të reja pune

Shkup, 5 shtator 2025 (MIA) - Instituti për hulumtime ekonomike dhe politike Fajnans think sot njoftoi se rritja në tremujorin e dytë u përshpejtua lehtë, por nuk krijoi vende të reja pune. Dinamika e ekonomisë nga tremujori i dytë, sipas Fajnans think, pritet të vazhdojë gjatë vitit. Mbeten në projeksionin për rritjen reale të BPV-së në vitin 2025 prej 3,5 për qind, ndërsa projeksioni për rritjen e çmimeve rishikohet në 3,7 për qind (nga 3,1 për qind).

"Në tremujorin e dytë të vitit 2025, BPV-ja u rrit për 3,4 për qind në bazë vjetore, duke e përshpejtuar lehtë dinamikën nga tremujorët e mëparshëm. Realizimi është në linjë me pritshmëritë tona të shprehura në monitorin e mëparshëm Makroekonomik dhe me projeksionin prej 3,5 për qind për të gjithë vitin 2025. Përshpejtimi, në masë të madhe, është i udhëhequr nga rritja e konsumit personal (3 për qind), i cili vazhdoi të pasqyrojë rritjen reale pozitive të pagave, rritjen e pensioneve dhe të ardhurave të tjera si dhe mbështetjen e intensifikuar kreditore për amvisëritë. Ndërkohë, shpenzimi publik (-1 për qind) u zvogëlua pas intensifikimit gjatë vitit 2024", thekson Fajnans think në Makro-monitorin 14(2), për tremujorin e dytë të vitit 2025.

Rritja e investimeve bruto (6 për qind), thekson Fajnans think, mbetet variabil i lartë, ndërsa eksporti (9,1 për qind) dhe importi (8 për qind) u rimëkëmbën pas një periudhe të zgjatur stagnimi dhe rëniesh, por variabiliteti vazhdon të pasqyrojë pasiguri te partnerët tregtarë në kontinentin evropian dhe nga politika doganore e SHBA-së. Nga ana prodhuese, rritja në këtë tremujor është me bazë të gjerë, si edhe më parë, me përshpejtim të lehtë në bujqësi (1,8 për qind) dhe industri (3,9 për qind), ndërsa ruajtje të dinamikës në ndërtimtari (7,3 për qind) dhe shërbime (2,7 për qind).

Siç thekson Instituti, papunësia në tremujorin e dytë të vitit 2025 më tej lehtë u ul në 11,5 për qind (nga 11,7 për qind). Por, thekson, se në këtë tremujor, u ul edhe aktiviteti i popullsisë (52,2 për qind nga 52,4 për qind), si rezultat i së cilës u ul edhe punësimi në 46,2 për qind (nga 46,3 për qind).

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, inflacioni u ngadalësua lehtë në 3,8 për qind në bazë vjetore (nga 4,2 për qind), por, siç thekson Instituti, edhe më tej mbetet i lartë. Qëndrueshmëria e tij është gjithnjë e më shumë e lidhur me efektet e rritjes së të ardhurave reale mbi konsumin (rritja e inflacionit bazë prej 4,9 për qind). Këto rreziqe imponojnë nevojën për kujdes të mëtejshëm si nga ana fiskale, ashtu edhe nga ana monetare. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR