• e shtunë, 23 nëntor 2024

"Platforma e Krimesë": Bota demokratike nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën

Zagreb, 25 tetor 2022 (MIA) – Kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, sot nga Zagrebi porositi se bota demokratike nuk do të lodhet duke përkrahur Ukrainën. Pas përfundimit të Samitit parlamentar të "Platformës së Krimesë" të mbajtur në Zagreb, Jandrokoviq tha se tubimi, i cili mblodhi së bashku më shumë se 50 vende dhe organizata ndërkombëtare, u dërgoi "mesazh të qartë përfaqësuesve të Federatës Ruse, agresorit, se bota demokratike e civilizuar nuk do të lodhet duke mbështetur Ukrainën". "Do të jetë me ta derisa të çlirojnë centimetrin e fundit të territorit të tyre", ka theksuar Jandrokoviq. Ai tha se pjesëmarrësit e takimit në një deklaratë të përbashkët përsëri i dhanë mbështetje të qartë Ukrainës dhe konfirmuan se respektojnë integritetin territorial, sovranitetin, autonominë, pavarësinë dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të atij vendi. Kryetari i Parlamentit të Ukrainës deklaroi në një konferencë për shtyp se Samiti i dërgoi një mesazh të qartë Rusisë, duke theksuar se Ukraina ka forcën dhe vullnetin për të fituar dhe rimarrë kontrollin mbi territorin e saj, përfshirë Krimenë. "Platforma e Krimesë" është nismë ukrainase për të bashkuar përpjekjet ndërkombëtare për t'i kthyer Krimenë Ukrainës. Samiti i parë në nivel krerësh shtetesh apo qeverish u mbajt në gusht të vitit të kaluar në Kiev dhe vitin e ardhshëm në gusht, në një format virtual. Kroacia e pranoi propozimin e Ukrainës për të pritur formatin parlamentar të "Platformës së Krimesë" për shkak të luftës në atë vend. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR