Zyra e BE-së në Prishtinë konfirmon: Vizat për Kosovën hiqen më 1 janar
- Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Fami Bajrami
- 12:13, 21 tetor, 2023
Prishtinë, 21 tetor 2023 (MIA) - Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në përgjigjen për portalin Kallxo.com Zyra e BE-së heqjen e vizave Shengen për qytetarët e Kosovës re quajti një moment historik në marrëdhëniet BE- Kosovë.
"Liberalizimi i vizave për përdoruesit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Kjo do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si turistë në BE pa viza për 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh", thuhet në përgjigjen për këtë media të Prishtinës.
Prej atje po ashtu kanë paralajmëruar se stafi i BE-së në Kosovë merr pjesë në aktivitete informuese si pjesë e fushatës për liberalizimin e vizave.
"Ky është një moment i rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe një hap i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt BE-së. BE-ja në Kosovë nisi fushatën “Hulumtoje Evropën” për të shpjeguar përfitimet e liberalizimit të vizave, por edhe përgjegjësitë dhe kufizimet. Stafi i BE-së në Kosovë poashtu merr pjesë në aktivitete informuese në disa qytete të Kosovës si pjesë e fushatës së qeverisë për liberalizimin e vizave", deklaroi zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Joana Lahana.
Çështja e vizave për Kosovën ka qenë pjesë diskutimi këtë javë për shkak të deklaratës së presidentit francez Emanuel Makron të martën në Tiranë.
Bazuar në përkthimin e deklaratës së Makronit gjatë takimit të tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë, mediat e Kosovës informuan se Franca ka pezulluar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Më vonë u raportua se përkthimi nuk ka qenë adekuat dhe se deklarata e Makronit ka qenë në kuptim të asaj se Prishtina duhet t'i mbajë premtimet në lidhje me marrëveshjet me Serbinë, ashtu siç e mbajti Franca premtimin për liberalizimin.