• e premte, 05 dhjetor 2025

Zgjedhjet ishin konkurruese, por nën hijen e parregullsive ligjore dhe polarizimit politik, vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë

Zgjedhjet ishin konkurruese, por nën hijen e parregullsive ligjore dhe polarizimit politik, vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë

Shkup, 20 tetor 2025 (MIA) – Zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor ishin konkurruese dhe votuesve u mundësuan zgjedhje të vërtetë në mes alternativave të ndryshme politike, por ishin nën hijen e parregullsive ligjore, kapacitete të kufizuara institucionale dhe polarizimit të lartë politik, njoftuan vëzhguesit ndërkombëtarë në deklaratën e sotme për gjetjet dhe konkluzionet preliminare. 

Sipas misionit të përbashkët vëzhgues të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut të OSBE (ODIHR), Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë të dëshpërimit nga politika dhe perceptimet e përhapura për korrupsionin.

Shefi i misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të ODIHR, Mateo Mekaçi, theksoi se edhe pse administrata zgjedhore në përgjithësi i ka zbatuar përgatitjet në mënyrë efikase dhe në përputhje me afatet ligjore, vrimat në legjislacion, infrastruktura e vjetërsuar dhe burimet e kufizuara ndikuan negativisht në punën e saj. 

“Ishte mirë të shihje një fushatë konkurruese në javët e fundit dhe një ditë zgjedhjesh të organizuar mirë, kryesisht paqësore, por mangësitë në legjislacionin zgjedhor që dëmtojnë funksionimin e institucioneve mbeten shqetësuese”, tha Mekaçi.

Ai theksoi se zgjidhja e çështjeve që lidhen me financimin e fushatës dhe mundësitë e barabarta për përfaqësimin në media do të jenë gjithashtu në fokus në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 2 nëntor. Mekaçi theksoi se liritë themelore u respektuan, ndërsa kandidatët ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, por tha ai, pati raste të keqpërdorimit me burimet publike, si dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik, frikësim të votuesve dhe blerje votash, të cilat shkaktuan shqetësim midis vëzhguesve.

“Raportimet për presione, frikësime dhe keqpërdorime të burimeve publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe mbeten sfidë serioze”, deklaroi Mekaçi, duke shtuar se “aspektet kyçe nga procesi zgjedhor kërkojnë reforma nga financimi i fushatës deri në qasje të barabartë deri te mediat për të gjithë kandidatët”. 

Mjetet publike përbëjnë pjesë të rëndësishme nga financimi i përgjithshëm, por shpërndarja e tyre, theksohet, i favorizon partitë më të mëdha, duke lënë “vetëm mundësi të kufizuara” për partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur.  

“Anomalitë sistematike në financim i favorizojnë partitë në pushtet dhe e kufizojnë konkurrencën politike”, bëhet e ditur në një pjesë të raportit. 

Gjithashtu theksohet se korniza ligjore ofron bazë teknike për zgjedhje demokratike, por përmban boshllëqe dhe paqartësi të shumta që lejojnë interpretime të ndryshme. Edhe pse ndryshimet e vitit 2024 në Kodin Zgjedhor kanë përfshirë disa nga rekomandimet e mëparshme të ODIHR-së dhe Kongresit, shumë prej tyre mbeten të pazbatuara. Vëmendje e veçantë i kushtohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të majit 2025, i cili shfuqizoi dispozitat mbi numrin e nënshkrimeve të kërkuara për kandidatët e pavarur, si dhe ndërhyrjes së KSHZ-së, e cila kërkonte vetëm dy nënshkrime për regjistrim. Edhe pse kjo u konsiderua zgjidhje praktike, misioni vlerësoi se ndërhyrja e KSHZ-së vendosi një precedent që vë në pikëpyetje parimin e ndarjes së pushtetit.

Gobint Ni Vimnehan, shefe e Delegacionit nga Kongresi i Këshillit të Evropës, tregoi se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë, por theksoi pjesëmarrjen e pamjaftueshme të grave si kandidate dhe mungesën e qasjes për votuesit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. Monitorimi i mediave tregoi se mbulimi ishte përgjithësisht i balancuar, por disa media, veçanërisht jashtë kryeqytetit, nuk u ofruan qasje të barabartë të gjithë kandidatëve.

“Mungesa e mediave lokale, veçanërisht jashtë kryeqytetit, gjithashtu e kufizon mbulimin e temave me rëndësi lokale dhe kontribuon për polarizim të diskursit publik”, tha ajo. 

Ni Vimneham theksoi se ishin vërejtur ngecje të caktuara në punën e pajisjeve për identifikim biometrik, që, siç theksoi duhet të tejkalohet deri në zgjedhjet e ardhshme. Ajo shtoi edhe se disa votues patën problem me atë se në cilën kuti cila fletë e votimit duhet të vendoset dhe rekomandoi që në të ardhmen të vendosen ngjyra më të forta që të mund të bëhet dallimi. 

Raporti tregoi edhe për praninë e madhe të dezinformatave në rrjetet sociale dhe rregullim të dobët të fushatave digjitale. 

Marta Temido, shefe e delegacionit të Parlamentit Evropian, deklaroi se integrimi evropian nuk ishte në qendër të fushatës zgjedhore, shumica e partive dhe qytetarëve mbeten të përkushtuar në anëtarësimin në BE. 

“I dëgjuam të gjithë bashkëbiseduesit tanë me interes dhe vëmendje. Edhe pse integrimi evropian nuk ishte në qendër të fushatës zgjedhore, nga shumica e tyre kuptuam se shumica e partive dhe bashkësive në Maqedoninë e Veriut mbeten të përkushtuara ndaj anëtarësimit në BE, prandaj ne rekomandojmë që autoritetet lokale të sapozgjedhura të përparojnë procesin e reformave evropiane në vendin e tyre”, shtoi Temido.

Në pyetjen nëse gjatë vëzhgimeve u përballën me raste të njerëzve të vdekur që figurojnë në listën zgjedhore, vëzhguesit u përgjigjën se raste të tilla nuk ka pasur, por Mekaçi theksoi se si problem, tani paraqitet ai që në të janë persona të cilët nuk jetojnë në shtet. 

“Ai është problem tashmë një kohë të gjatë dhe në këtë rast që të votosh në këto zgjedhje duhet të jesh rezident, nëse nuk je banor i komunës nuk ke të drejtë të votosh”, tha Mekaçi. 

Misioni ndërkombëtar ishte i përbërë nga 275 vëzhgues nga 40 vende, në mesin e të cilëve 253 ekspertë të OSBE/ODIHR, 15 anëtarë të Kongresit të Këshillit të Evropës dhe shtatë eurodeputetë. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR