Zgjedhje parlamentare në Australi
- Në Australi kanë filluar zgjedhjet parlamentare ku sipas anketave Partia Laburiste e kryeministrit Entoni Albaneze është në epërsi. Nga gjithsej 18 milionë votues me të drejtë vote, tetë milionë kanë hedhur tashmë votat e tyre për atë se kush duhet të plotësojë 150 vendet e Dhomës së ulët dhe 40 nga 76 vendet në Senat.
- Post By Fami Bajrami
- 12:28, 3 maj, 2025
Sidnej, 3 maj 2025 (MIA) - Në Australi kanë filluar zgjedhjet parlamentare ku sipas anketave Partia Laburiste e kryeministrit Entoni Albaneze është në epërsi. Nga gjithsej 18 milionë votues me të drejtë vote, tetë milionë kanë hedhur tashmë votat e tyre për atë se kush duhet të plotësojë 150 vendet e Dhomës së ulët dhe 40 nga 76 vendet në Senat.
Në zgjedhje, kryeministri aktual Entoni Albaneze dhe Partia e tij laburiste e qendrës së majtë përballen me liderin e koalicionit opozitar, Piter Daton nga Partia Liberale konservatore.
Një anketë e publikuar të premten nga "The Australian" tregon se Partia Laburiste kryeson me 52,5 për qind kundrejt koalicionit Liberal-nacionalist e cila ka mbështetje prej 47.5 për qind.
Shpenzimet për jetesë janë çështje kyçe zgjedhore - Albaneze ka premtuar kujdes shëndetësor më të fortë, kujdes më të lirë për fëmijët dhe fatura më të ulëta të energjisë elektrike, ndërsa Daton ka premtuar ulje të taksave, burokracisë dhe migracionit.
Albaneze është kryeministër që nga viti 2022 kur zëvendësoi Skot Morisonin dhe koalicionin e udhëhequr nga Partia Liberale. Sipas anketave të opinionit publik, Partia laburiste është në epërsi, raportojnë mediat australiane.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 18, ndërsa rezultatet priten në mbrëmje. Votimi është i detyrueshëm në Australi, ndërsa zgjedhjet mbahen çdo tre vjet.
foto: EPA