• e premte, 22 nëntor 2024

Zelenski zbardh detaje të "planit të tij për fitore"

Zelenski zbardh detaje të

Kiev, 22 shtator 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i ka bërë thirrje homologut të tij amerikan Xho Bajden që t’i lejojë Ukrainës të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi në Rusi duke përdorur armë të furnizuara nga SHBA dhe të sigurojë "vend në histori" duke "forcuar Ukrainën" para largimit nga detyra.

Duke folur para një udhëtimi kyç në Uashington javën e ardhshme, ku do të takohet me Bajdenin dhe kandidaten presidenciale Kamala Haris, ku dhe do t'i drejtohet KB-së, Zelenski tha se do ta prezantojë "planin fitues" për t'i dhënë fund luftës.

Vizioni i tij për "paqe të drejtë" nuk është publikuar ende. Por Zelenski tha se plani përfshinë kryerjen e sulmeve të thella me raketa perëndimore në Rusi – diçka për të cilën Londra dhe Uashingtoni deri tani kanë refuzuar të bien dakord. Mbretëria e Bashkuar ka sinjalizuar se është e gatshme t'i lejojë Ukrainës të përdorë raketat britanike "Storm shedou", por Shtëpia e Bardhë edhe më tej mbetet skeptike. Kryeministri britanik Kir Starmer nuk e trajtoi këtë çështje gjatë bisedimeve private me Bajdenin javën e kaluar në Uashington.

Zelenski konfirmoi se nuk ka dritë jeshile pavarësisht përpjekjeve diplomatike prej muajsh.

“As SHBA dhe as Britania e Madhe nuk na lejuan ta përdorim këtë armë në territorin rus, kundër asnjë objektivi dhe në çdo distancë”, tha ai.

I pyetur se si do të përpiqet ta bind Bajdenin kur të takohen të enjten, Zelenski përmendi faktin se Bajdeni në të kaluarën ka "ndryshuar mendje" pas "diskutimeve të vështira".

"Disa anëtarë të ekipit të tij mbështesin sulmet", tha ai, që është "tashmë një arritje". Bajdeni mund të forcojë Ukrainën dhe të marrë vendime të rëndësishme për ta bërë Ukrainën më të fortë dhe për të mbrojtur pavarësinë e saj derisa është president i SHBA-së. Mendoj se ky është një mision historik", shtoi Zelenski.

Zelenski tha se sipas gjitha gjasave do të ketë takim edhe me Donald Trampin të enjten ose të premten.

"Ekipet tona janë në kontakt. Nuk do të shikoj në të ardhmen, por mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për ne të dy", tha Zelenski.

Duke folur për planin e tij, Zelenski theksoi se këtu ka luajtur rol edhe “operacioni Kursk”, por nuk pranoi të zbulojë detaje. Elemente të tjera të planit përfshijnë më shumë armë dhe mbështetje ekonomike.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR