Zelenski: Së shpejti do t'u dorëzojmë amerikanëve një version të finalizuar të planit të paqes
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se Ukraina dhe shtetet evropiane së shpejti do të jenë gati t'i paraqesin Shteteve të Bashkuara një version përfundimtar të propozimit të paqes pas disa ditësh bisedimesh.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:13, 9 dhjetor, 2025
Kiev, 9 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se Ukraina dhe shtetet evropiane së shpejti do të jenë gati t'i paraqesin Shteteve të Bashkuara një version përfundimtar të propozimit të paqes pas disa ditësh bisedimesh.
"Komponentët ukrainas dhe evropianë tani janë më të zhvilluar dhe ne jemi gati t'ua paraqesim partnerëve tanë në SHBA, njoftoi Zelenski në rrjetet sociale. "Së bashku me palën amerikane, presim të ndërmarrim shpejt hapa të mundshëm që janë sa më të realizueshëm të jetë e mundur".
Ai theksoi se Ukraina mbetet "e përkushtuar ndaj paqes së vërtetë" dhe se "gjithçka varet nëse Rusia është e gatshme të ndërmarrë hapa efektivë për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të parandaluar rishfaqjen e luftës".
Lidhur me vërejtjet e presidentit amerikan Donald Tramp në një intervistë me Politiko, Zelenski deklaroi se ishte gjithmonë i gatshëm për zgjedhje.
Trampi për Politiko deklaroi se qeveria ukrainase po "përdor luftën për të mos mbajtur zgjedhje" dhe i tha Zelenskit se është "e rëndësishme" që vendi të shkojë në zgjedhje.
"Jam gjithmonë gati për zgjedhje", tha Zelenski për mediat italiane kur u pyet për deklaratën në margjinat e një takimi me kryeministren italiane Xhorxha Meloni në Romë.
Pas takimit me Melonin, Zelenski tha se kanë pasur një "bisedë të shkëlqyer dhe shumë të rëndësishme" rreth luftës në Ukrainë.
"E vlerësojmë rolin aktiv të Italisë në krijimin e ideve konkrete dhe përcaktimin e hapave që mund të na afrojnë me paqen", tha Zelenski.
Foto: Arkivi i EPA-s