• e martë, 24 dhjetor 2024

Zelenski: Rezervat duhet të arrijnë më shpejtë

Zelenski: Rezervat duhet të arrijnë më shpejtë

Kiev, 10 janar 2024 (MIA) - Ukraina duhet ta përshpejtojë logjistikën e saj dhe më shpejtë t'i furnizojë luftëtarët e saj me armë dhe fluturake pa pilot, deklaroi dje presidenti ukrainas Volodomir Zelenski në video paraqitjen e tij të natës, informon DPA.

Zelenski bisedoi me liderë të lartë ushtarakë dhe ministri relevante në lidhje me furnizimin e njësiteve me municion dhe fluturake pa pilot.

"Më e rëndësishme është se çdo aspekt nga logjistika duhet të përshpejtohet", tha Zelenski.

Sipas raporteve nga fronti, ushtarët ukrainas vuajnë nga mungesa e armëve. Duke pasur parasysh sulmet e shpeshta ajrore, ekziston edhe shqetësim se municioni për mbrojtje kundërajrore është në fund. 

Ndihma nga SHBA-ja, mbështetëse e madhe e Ukrainës, është bllokuar për shkak të kontestit të brendshëm politik në Kongres për emigrimin, përkujton DPA.

Zelenski shfaqi bindje se edhe krahas këtyre problemeve, ushtarët mund të furnizohen me atë që u nevojitet. 

"Biseduam edhe për lansimin e linjave të reja të prodhimit për armë dhe municion në Ukrainë, në ndërmarrjet tona dhe bashkë me partnerët", tha ai.

Zelenski informoi edhe për bisedimet telefonike me presidentin rumun Klaus Johanis, shefin e shtetit polak Andzhej Duda dhe kryeministrin belg Aleksandar de Kro. Rumania i ndihmon Ukrainës që t'i trajnojë pilotët amerikanë të aeroplanëve F-16.

Sipas Zelenskit, ka "sinjale të qarta" për ngadalësim të industrisë ruse të mbrojtjes. Presidenti i Ukrainës nuk e mbështeti deklaratën e tij me dëshmi konkrete, ndërsa sipas autoriteteve ruse industria lokale e mbrojtjes e ka përshpejtuar prodhimtarinë e pajisjes ushtarake. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR