Zelenski: Perëndimi duhet të bashkohet për të ndaluar Rusinë
- Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski në fjalimin në Forumin ekonomik botëror në Davos i ka bërë thirrje Perëndimit që të përkrah front të përbashkët kundër presidentit rus Vlladimir Putin dhe ta rrisë përkrahjen për Kievin, me qëllim që të sigorihet se Moska nuk do ta fitojë luftën.
- Post By Besnik Shuki
- 19:09, 16 janar, 2024
Davos, 16 janar 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski në fjalimin në Forumin ekonomik botëror në Davos i ka bërë thirrje Perëndimit që të përkrah front të përbashkët kundër presidentit rus Vlladimir Putin dhe ta rrisë përkrahjen për Kievin, me qëllim që të sigorihet se Moska nuk do ta fitojë luftën.
"Dyshimi perëndimor në ndihmën për Ukrainën dhe druarjet nga eskalimi i luftës me Rusinë kushtojnë kohë dhe do të mund të sjellin deri në vazhdimin e luftimeve me vite. Në të vërtetë, Putini e personifikon luftën. Ai nuk do të ndryshohet. Por, ne duhet të ndryshojmë. Të gjithë duhet të ndryshojmë deri në atë shkallë që marrëzia në kokën e këtij njeriu dhe çdo agresori tjetër të mos fitojë", tha Zelenski.
Presidenti ukrainas shtoi se është kundër ngrirjes së konfliktit në linjen aktuale të frontit.
Forumi në Davos mbahet në kohë kur forcat e Kievit kalojnë në taktikë mbrojtëse, pasi kundërofensiva e vitit të kaluar nuk arriti ta depërtojë mbrojtjen ruse në pjesët e okupuara jugore dhe lindore të Ukrainës.
Zelenski po ashtu u bëri thirrje bizneseve të mëdha të investojnë në vendin e tij dhe të përfshihen në rindërtimin e vendit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve pas fjalimit të tij, Zelenski tha se ka marrë sinjale pozitive për zhbllokimin e përkrahjes financiare të BE-së. Ai shpreson se edhe SHBA-ja do të miratojë ndihmë të re për disa javë.
Zelenski në Davos realizoi takime me sekretarin amerikan të shtetit, Entoni Blinken, këshilltarin për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhejk Saliven, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me drejtorët e disa prej ndërmarrjeve për investime ndërkombëtare, siç janë "XhiPi Morgan Çejs" (JP Morgan Chase), "Blekrok" (Blackrock), Arcelor Mital (Arcelor Mittal) e tjerë. bsh/
Foto: EPA