Zelenski: Pata një bisedë shumë të mirë me Trampin për gatishmërinë për të mbështetur Ukrainën
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se ka pasur një bisedë shumë të mirë me Presidentin amerikan Donald Tramp pas njoftimit të tij për dërgimin e armëve të reja në Ukrainë, duke shtuar se kanë rënë dakord në të ardhmen të flasin më shpesh për të koordinuar hapat e tyre.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 07:58, 15 korrik, 2025
Kiev, 15 korrik 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se ka pasur një bisedë shumë të mirë me Presidentin amerikan Donald Tramp pas njoftimit të tij për dërgimin e armëve të reja në Ukrainë, duke shtuar se kanë rënë dakord në të ardhmen të flasin më shpesh për të koordinuar hapat e tyre.
"Ishte një bisedë shumë e mirë. E falënderova Trampin për gatishmërinë e tij për të mbështetur Ukrainën dhe për bashkëpunim të mëtejshëm me qëllim ndalimin e vrasjeve dhe vendosjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë", shkroi Zelenski në Telegram.
Presidenti ukrainas shtoi se me Trampin ranë dakord të flasin më shpesh në të ardhmen me qëllim të koordinimit të hapave.
Trampi dje bëri të ditur se ishte i zhgënjyer nga Presidenti rus Vladimir Putini dhe "shumë i pakënaqur" nga Rusia, duke shtuar se dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë.
"Do të prodhojmë armë të nivelit të lartë dhe ato do t'i dërgohen NATO-s", tha Trampi, duke shtuar se aleatët e Uashingtonit në NATO do të paguajnë për armët.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, e konfirmoi deklaratën e Tramp dhe e përshkroi si "plotësisht logjike".
Vlera e armëve matet në miliarda euro dhe armët do të përfshinin raketa anti-ajrore "Patriot" që Ukrainës i duhen urgjentisht për të mbrojtur qytetet e saj nga sulmet ajrore ruse.
Foto: EPA