• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski paralajmëroi marrëveshje të reja me SHBA-në dhe prezantoi përbërjen e re të qeverisë

Zelenski paralajmëroi marrëveshje të reja me SHBA-në dhe prezantoi përbërjen e re të qeverisë

Kiev, 17 korrik 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski paralajmëroi marrëveshje të reja dypalëshe me SHBA-në, të cilat, siç tha, do ta forcojnë vendin e tij, por nuk zbuloi detaje për përmbajtjen e tyre. 

Para Parlamentit ukrainas, Zelenski prezantoi edhe përbërjen e re të Qeverisë, ndërsa paralajmëroi edhe revizion të të gjitha marrëvrshjeve për furnizime publike në fushën e mbrojtjes. Qëllimi është që 50 për qind e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhohen në Ukrainë.

Ish nënpresidentja e Qeverisë ukrainase, Julija Sviridenko, sot është zgjedhur kryeministre e re e Ukrainës. Për emërimin e saj votuan 262 nga 450 anëtarë të Radës Supreme. 

Ajo vjen në vendin e Denis Shmihal, i cili e mbajti këtë pozicion për pesë vjet, mandati më i gjatë në historinë e vendit. Shmihal do ta marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes nga Rustem Umerov, për të cilin besohet se do bëhet ambasador i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Zelenski theksoi se me Julija Sviridenkon kanë biseduar edhe për zbatimin e marrëveshjeve me partnerët evropianë dhe amerikanë, të cilat u arritën gjatë Konferencës së fundit për Rimëkëmbjen e Ukrainës e mbajtur në Romë. qa/

Foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR