Zelenski: Orbani e përdor Ukrainën për qëllime zgjedhore
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në një intervistë për portalin hungarez "Valas onlajn" (Valasz Online) akuzoi kryeministrin hungarez Viktor Orban se po përdor propagandë kundër Ukrainës për pikë të brendshme politike.
Budapest, 10 qershor 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në një intervistë për portalin hungarez "Valas onlajn" (Valasz Online) akuzoi kryeministrin hungarez Viktor Orban se po përdor propagandë kundër Ukrainës për pikë të brendshme politike.
"Ai (Orbani) po e përdor Ukrainën për qëllime zgjedhore. Ai nuk e kupton se kjo do të ketë pasoja shumë më serioze dhe të rrezikshme. Duke mos na ndihmuar, po i bën një nder (Presidentit rus Vladimir) Putinit. Dhe për këtë arsye them se Viktori po bën një gabim të madh historik", theksoi Zelenski.
Qeveria e Orbanit periudhën e kaluar po bën fushatë kundër ndihmës për Ukrainën dhe ka kundërshtuar anëtarësimin e saj në BE. Si pjesë e fushatës kundër Ukrainës, janë shfaqur edhe bilborde me Zelenskin.
"Si mund ta përdorë ai (Orbani) fytyrën time për t'u zgjedhur? Unë nuk i dhashë leje ta bënte këtë", theksoi Zelenski.
Ai theksoi edhe se Shërbimi i Sigurisë Ukrainase muajin e kaluar arrestoi dy ukrainas me origjinë hungareze, të dyshuar për spiunazh për shërbimin e inteligjencës hungareze.
Më pas Hungaria arrestoi një spiun, që besohet se ka punuar për Ukrainën dhe i cili është i afërt me udhëheqësin e opozitës hungareze, Peter Magjar.
Orbani është në pushtet që nga viti 2010, ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë në vitin 2026.
Foto: EPA