Zelenski: Një ftesë për anëtarësim në NATO do ta sjellë Ukrainën në një paqe reale dhe të drejtë
- Dërgimi i një ftese Ukrainës për inkuadrim në NATO, do ta përforcojë vendin politikisht dhe ajo që është edhe më e rëndësishme do ta sjellë atë drejt një paqeje reale dhe të drejtë, tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nga Brukseli.
- Post By Sara Ademi
- 20:52, 17 tetor, 2024
Bruksel, 17 tetor 2024 (MIA) - Dërgimi i një ftese Ukrainës për inkuadrim në NATO, do ta përforcojë vendin politikisht dhe ajo që është edhe më e rëndësishme do ta sjellë atë drejt një paqeje reale dhe të drejtë, tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nga Brukseli.
"Ukraina arriti diçka që dukej e pamundur deri vonë - ajo arriti të ndalojë sulmin masiv rus dhe të mbrohej nga pushtimi. Kemi qëndruar të bashkuar dhe kemi forcuar aftësitë tona të mbrojtjes dhe prodhimin e armëve", theksoi Zelenski sonte në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, të mbajtur para takimit të Këshillit të Bashkëpunimit NATO-Ukrainë në kuadër të takimit të ministrave të mbrojtjes të Aleancës, që mbahet sot dhe nesër në Bruksel.
Zelenski falënderoi për armët dhe pajisjet e dorëzuara, si dhe për mbështetjen globale për Ukrainën nga e gjithë bota, si dhe për mbështetjen për rindërtimin e infrastrukturës së saj të shkatërruar nga sulmet ruse në prag të dimrit, duke theksuar se forcimi i vendit nuk varet vetëm nga armët e dorëzuara, por edhe nga vullneti i shprehur dhe ruajtja e unitetit për mbështetjen e tij.
"Ukraina, së bashku me partnerët e saj, di se si t'i arrijë qëllimet e saj dhe kjo është gjëja më e rëndësishme", tha Zelenski, duke shtuar se megjithëse Ukraina është ende në pritje të përmbushjes së plotë të premtimeve të bëra në Samitin e NATO-s në korrik, ajo është mirënjohëse ndaj partnerëve të saj për mbështetjen e dhënë deri tani, nga e cila varet jeta e ushtarëve ukrainas në terren.
Ai gjithashtu theksoi se një ditë Ukraina dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s dhe duhet bërë gjithçka që kjo të ndodhë, sepse do të ishte gabim të lihej vendi jashtë Aleancës ku e ka vendin.
"Prandaj një nga pikat kryesore në Planin për fitore është ftesa për anëtarësim në NATO. Ne ukrainasit treguam se mund të mbrohemi, të ndajmë vlera dhe t'i kundërshtohemi Rusisë - kërcënimi më i madh për Evropën dhe paqen globale", tha Zelenski duke shtuar se sipas Kartës së NATO-s, çdo vend që mund të mbrojë veten dhe të tjetër dhe ka vlera të përbashkëta mund t'i bashkangjitet NATO-s.
Sipas Zelenskit, fakti që sot është takimi i tretë i tij me Ruten pasi e ndërmori detyrën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s më 1 tetor, është një tregues për nivelin e marrëdhënieve ndërmjet Aleancës dhe Ukrainës.
Rute, nga ana e tij, theksoi se me padurim e pret ditën kur Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa deri atëherë Aleanca do të bëjë gjtihçka që është në fuqinë e saj me gjithë vendin për të mbizotëruar në terren, gjë që është jetike për sigurinë e përbashkët.
Ai shtoi se punonjësit e Komandës së NATO-s për Koordinimin e Asistencës dhe Trajnimit të Sigurisë për Ukrainën me bazë në qytetin gjerman Visbaden po bëjnë gjithçka për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për Ukrainën.
"NATO po punon me Ukrainën, duke e afruar atë me Aleancën, por ne po punojmë edhe me partnerët tanë të tjerë për të forcuar sigurinë e të gjithëve ne", shtoi Rute, duke kujtuar se sot ministrat zhvilluan një takim të përbashkët me kolegët nga rajoni aziatik-paqësor – Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re dhe me përfaqësues të BE-së të angazhuar për forcimin e bashkëpunimit në përpjekjet e përbashkëta të mbrojtjes.
Sipas tij, lufta në Ukrainë tregoi se paqëndrueshmëria në Evropë ka pasoja të mëdha në mbarë botën dhe vendet që janë mijëra kilometra larg, si Irani, Kina, madje edhe Koreja e Veriut mund të jenë "subversivë të sigurisë në oborrin tonë".
Rute vuri në dukje se në botën moderne që është e lidhur ngushtë, siguria është gjithashtu e lidhur, duke theksuar se të gjithë kemi qenë dëshmitarë se si Kina mundëson luftën në Ukrainë me veprimet e saj, ndërsa Irani dhe Koreja e Veriut e mbështesin atë duke furnizuar me raketa dhe armë për forcat ruse dhe me mbështetjen e industrisë së saj ushtarake.
"Prandaj duhet të bëjmë një vlerësim të qartë të sfidave me të cilat përballemi dhe të punojmë me partnerët tanë për t'u përballur me ato sfida dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta", theksoi Rute, duke shtuar se për këto arsye, BE-ja dhe partnerët e NATO-s nga rajoni aziatik-paqësor mbështesin Ukrainën, mbrojtjen e demokracisë dhe ndërtimin e një bote të bazuar në sundimin e ligjit, ndërsa jo në sundimin e forcës. sa/
Foto: Skrinshot