• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski në Këshillin e Evropës nënshkroi marrëveshje për formimin e gjykatës speciale për Ukrainën

Zelenski në Këshillin e Evropës nënshkroi marrëveshje për formimin e gjykatës speciale për Ukrainën

Strasburg, 26 qershor 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski dje me Këshillin e Evropës nënshkroi marrëveshje për formimin e gjykatës speciale për "krime dhe agresion kundër Ukrainës".

"Të gjithë kriminelët e luftës duhet ta dinë se drejtësia do të përmbushet, ndërsa ajo përfshinë edhe Rusinë”, tha Zelenski.

"Ky nënshkrim është një hap vendimtar drejt formimit të gjykatës së posaçme për krimin dhe agresionin kundër Ukrainës", tha kryetari i Këshillit të Evropës, Alen Berset.

Kjo është hera e parë që formohet një gjykatë e posaçme nën kujdesin e Këshillit të Evropës.

Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës menjëherë pasi që filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Formimi i gjykatës, të cilën Ukraina dhe aleatët e saj evropianë e publikuan në Lviv më 9 maj, bën të mundur anashkalimin e pamundësisë së gjykimit të "krimeve dhe agresionit" në Gjykatën ndërkombëtare penale (GJNP) të cilën Moska nuk e njeh.

"Marrëveshja e sotme dhe kjo gjykatë na japin një mundësi reale për të patur drejtësi për krimin dhe agresionin", tha Zelenski.

Gjykata e posaçme nuk do të jetë në gjendje të ndjekë penalisht presidentin rus Vladimir Putin, kryeministrin e tij Mihail Mishustin ose ministrin e Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov përderisa janë në funksion.

Gjykata do të ketë 15 gjyqtarë nga vende të ndryshme të cilët do të zgjidhen nga bordi i drejtorëve, ndërsa mandati i tyre do të zgjasë prej tre deri në nëntë vjet dhe nuk mund të vazhdohet.

Përveç kësaj gjykate, Këshilli i Evropës ka iniciuar krijimin e një regjistri të dëmeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

"Regjistri deri më tani ka pranuar më shumë se 34.000 kërkesa për rimbursim", tha Berset. rq/

Foto: skrinshot nga France 24

QËNDRONI TË LIDHUR