• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Zelenski me mesazh për "djemtë nga Hungaria" - të dëgjojnë Trampin dhe të ndalojnë të blejnë naftë ruse

Zelenski me mesazh për

 Kopenhagë, 2 tetor 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, në fillim të takimit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, kërkoi sanksione edhe më të ashpra kundër Rusisë dhe i bëri thirrje drejtpërdrejt Hungarisë të ndalojë blerjen e naftës ruse.

 "Duhet ta mbështesim thirrjen e presidentit amerikan Donald Tramp për të ndaluar blerjen e naftës ruse... Djemtë nga Hungaria duhet ta dëgjojnë këtë qartë", tha Zelenski, duke iu drejtuar liderëve të rreth 50 vendeve që u mblodhën në samitin e shtatë të Komunitetit Politik Evropian.

 Tema kryesore të takimit të shtatë të Komunitetit Politik Evropian janë Ukraina dhe situata e përgjithshme e sigurisë në Evropë. Pas seancës plenare hapëse, pjesëmarrësit vazhduan diskutimin në disa tryeza të rrumbullakëta të fokusuara në aspekte të ndryshme të situatës së sigurisë në Evropë, duke përfshirë kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin.

Zelenski bëri thirrje për sanksione edhe më të ashpra që synojnë të ardhurat ruse nga shitja e naftës. 

"Kjo duhet të ndalet", tha presidenti ukrainas, duke shtuar se energjia nga SHBA dhe partnerë të tjerë mund të zëvendësojë burimet ruse të energjisë. 

 Kryeministrja daneze Mete Frederiksen, nikoqire e takimit, e cila është bashkëkryesuese e takimit me kryetarin e Këshillit Evropian Antonio Kosta, tha se nuk pa shenja se "ëndrrat perandorake ruse do të ndalen në Ukrainë".

"Paqja me Rusinë mund të arrihet vetëm përmes forcës. Duhet ta forcojmë Ukrainën dhe ta dobësojmë Rusinë me sanksione të mëtejshme", tha Frederikseni. 

Frederikseni tha se presidenti rus kishte dështuar në planin e tij kur nisi pushtimin e Ukrainës. 

 

"Ai ka dashur ta merrë Kievin, ta rrëzojë qeverinë ukrainase dhe ta copëtojë Evropën. Sot, pas gati katër vitesh luftë të përgjithshme, pasi shpenzoi miliarda dollarë duke sakrifikuar mijëra jetë ruse, Putini nuk ka pasur sukses në asnjërën nga këto gjëra. Lufta është një dështim rus", tha ajo.

Ajo theksoi se forcimi i kpaciteteve ushtarake nuk është i mjaftueshëm, pasi Rusia ka shtuar sulmet hibride ndaj Evropës. 

 "Po përballemi me një armik që përdor të gjitha llojet e mjeteve. Një ditë janë dronët, ditën tjetër po i shtyn emigrantët drejt kufijve, duke synuar infrastrukturën kritike, ne po luftojmë kundër dezinformimit që synon të krijojë pasiguri dhe mosbesim, dhe po përpiqemi të ndikojmë në zgjedhjet demokratike", tha kryeministrja daneze.

 Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, tha se "mbështetja për Ukrainën nuk do të thotë mbështetje për luftën, por për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë".

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR