• e premte, 22 nëntor 2024

Zelenski kritikoi KS-në e Kombeve të Bashkuara dhe pastaj u largua para fjalimit të Lavrovit

Zelenski kritikoi KS-në e Kombeve të Bashkuara dhe pastaj u largua para fjalimit të Lavrovit

Nju-Jork, 20 shtator 2023 (MIA) - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski sot foli në Këshillin e Sigurimit të KB-së, ballë për ballë me përfaqësuesin e Rusisë e cila është anëtare e përhershme e Këshillit.

Zelenski e lëshoi sallën e Këshillit të Sigurimit pas fjalimit të tij dhe nuk qëndroi për ta dëgjuar fjalimin e ministrit rus të Punëve të Jashtme Sergej Lavrov.

"Ukraina e shfrytëzon të drejtën e saj të vetëmbrojtjes. Të ndihmosh Ukrainën me armë, duke vendosur sanksione dhe duke ushtruar presion gjithëpërfshirës mbi agresorin, si dhe duke votuar për rezolutat përkatëse, do të thotë të ndihmosh për të mbrojtur Kartën e KB-së", tha Zelenski në fjalimin e tij.

Presidenti ukrainas e filloi fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit të KB-së duke thënë se kanë kaluar 574 ditë "dhimbje, humbje dhe luftë" që nga pushtimi rus në vendin e tij. Rusia vrau të paktën dhjetëra mijë ukrainas dhe ka kthyer miliona në refugjatë", theksoi ai.

Sipas tij, "pjesa më e madhe e botës" pranon se aksionet e Rusisë në Ukrainë janë "kriminale dhe të paprovokuara" dhe kanë për qëllim ndërmarrjen e territorit dhe burimeve ukrainase. Ai tha se ishte mirënjohës për të gjitha vendet që e pranuan agresionin rus si shkelje e kartës së KB-së, por që kjo "nuk ndryshoi asgjë" për Rusinë në KB. Ai beson se KB-ja e ka gjetur veten "në një qorrsokak për çështjen e agresionit".

"Njerëzimi nuk i vendos më shpresat e tij në KB kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve sovran të kombeve", tha Zelenski.

Ai theksoi se vendi në Këshillin e Sigurimit, të cilin Rusia e zë ilegalisht, e morën "gënjeshtarët, puna e të cilëve është të mbulojnë agresionin dhe gjenocidin" që Rusia kreu në Ukrainë.

Ai theksoi se sistemi i tanishëm i KB-së nënkupton që anëtarët e tjerë të KB-së janë më pak me ndikim për shkak të fuqisë së vetos së Rusisë. "Këto ditë në Asamblenë e Përgjithshme shumë shpesh dëgjojmë për pabarazinë globale. Pabarazinë e përmendin kombe të ndryshme, të mëdha dhe të vogla. Pikërisht ajo pabarazi  e bën KB-në joefektive", tha ai.

"E di që KB-ja është e aftë për më shumë. Jam i bindur se Karta e KB-së mund të funksionojë për paqen dhe sigurinë në nivel global. Megjithatë, që kjo të ndodhë, diskutimet dhe projektet shumëvjeçare për reformat e KB-së duhet të kthehen në një proces të qëndrueshëm reformash të KB-së", tha presidenti ukrainas.  sa/

Foto: Profili në Fejsbuk i Zelenskit

QËNDRONI TË LIDHUR