• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski: Jemi të gatshëm për bisedime, por Moska duhet të tregojë seriozisht se dëshiron t'i japë fund luftës

Zelenski: Jemi të gatshëm për bisedime, por Moska duhet të tregojë seriozisht se dëshiron t'i japë fund luftës

Kiev, 9 maj 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pas bisedës telefonike me presidentin amerikan Donald Tramp tha se Ukraina është "e gatshme" për bisedime me Moskën me qëllim që të gjendet zgjidhje për konfliktin.

"Por, që kjo të ndodhë, Rusia duhet të tregojë se seriozisht dëshiron t'i japë fund luftës, duke filluar me një armëpushim të plotë pa kushte", shënoi Zelenski në rrjetet sociale pas bisedës telefonike me Trampin.

Një zyrtar i lartë në kabinetin e presidentit ukrainas tha se biseda ka kaluar "shumë mirë".

Sipas tij, biseda midis dy liderëve në gjuhën angleze ka zgjatur rreth njëzet minuta, ndërsa temat kryesore ishin "diplomacia dhe çështja e armëpushimit" që Uashingtoni dhe Kievi po përpiqen të vendosin në vijat e frontit me ushtrinë ruse.

Të dy liderët kanë biseduar edhe për marrëveshjen për mineralet e rralla që dje u ratifikua nga parlamenti ukrainas, kumtoi burimi i njejtë.

"Parlamenti ukrainas e ratifikoi marrëveshjen historike për partneritet ekonomik ndërmjet Ukrainës dhe SHBA-së", publikoi paraprakisht në X ministrja ukrainase e Ekonomisë Julija Sviridenko.

Dokumenti ka të bëjë me nxjerrjen e mineraleve, naftës dhe gazit në Ukrainë, nuk përfshin garancione të sigurisë për Kievin, edhe pse Ukraina ka insistuar për këtë.

Marrëveshja ishte nënshkruar në fund të prillit pas disa javësh tensione ndërmjet Kievit dhe Uashingtonit, të cilat kulminuan me një përballje verbale ndërmjet presidentit Donald Tramp dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në Dhomën Ovale në fund të shkurtit. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR