• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski: I besojmë SHBA-së, besojmë se Trampi dëshiron t'i japë fund luftës

Zelenski: I besojmë SHBA-së, besojmë se Trampi dëshiron t'i japë fund luftës

Kiev, 18 tetor 2025 (MIA) – I besojmë SHBA-së, besojmë që presidenti Donald Tramp dëshiron t’i japë fund luftës, deklaroi presidenti ukrainas Volodomir Zelenski në konferencë për media pas takimit me shefin amerikan të shtetit në Shtëpinë e Bardhë. 

Zelenski e përshkroi takimin me Trampin si produktiv. 

Lideri ukrainas refuzoi të japë çfarëdo lloj deklarate në lidhje me dërgesën potenciale të raketave “Tomahavk” nga SHBA-ja në Ukrainë. 

“Biseduam edhe për raketa me rreze të gjatë veprimi dhe nuk do të jap kurrfarë deklarata për këtë çështje. Vendosëm të mos flasim për këtë sepse SHBA-ja nuk dëshiron përshkallëzim”, sqaroi Zelenski. 

Kur u pyet nëse ishte optimist për marrjen e raketave “Tomahavk”, Zelenski u përgjigj se i sheh gjërat realisht. Lideri ukrainas shprehu mendimin e tij se Rusia ka frikë nga raketat “Tomahavk” sepse e di se çfarë mund të arrijnë me to, në kombinim me sistemet e tjera të armëve të Ukrainës.

Presidenti ukrainas tha se ai dhe Trampi kanë biseduar për çështje lidhur me sistemet për mbrojtje ajrore. 

Zelenski theksoi se nuk ka biseduar me Trampin për sulmet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse. 

Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se është i gatshëm për takime dypalëshe ose trepalëshe, për çdo format që mund të kontribuojë në arritjen e shpejtë të paqes. Zelenski tha se kishte biseduar me Trampin për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ai theksoi se Trampi e kupton që çështjet më të vështira në çdo bisedime të mundshme mbi Ukrainën do të jenë çështjet territoriale.

Zelenski, gjithashtu, tha se pas takimit me Trampin, ka biseduar me partnerët strategjikë të Ukrainës. 

Mediat ukrainase njoftuan se pas takimit me Trampin, presidenti ukrainas ka biseduar me liderët evropianë. fc/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR