• e hënë, 23 dhjetor 2024

Zelenski i bëri thirrje NATO-s të mbrojë centralet bërthamore ukrainase

Zelenski i bëri thirrje NATO-s të mbrojë centralet bërthamore ukrainase
Kiev, 21 nëntor 2022 (MIA)- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s që të garantojnë mbrojtjen e centraleve bërthamore ukrainase nga sabotimi rus. Në video fjalimin para Asamblesë parlamentare të NATO-s në Madrid, Zelenski tha se të gjithë duan të jenë të sigurt se nuk do të ketë incidente të rrezikshme në centralet bërthamore dhe se "nevojitet mbrojtje e garantuar nga sabotimi rus në to". Paraprakisht, shefi i agjencisë shtetërore ruse për energji bërthamore Rosatom, Aleksej Lihaçev, paralajmëroi se ekziston rrezik nga një aksident bërthamor në centralin bërthamor Zaporozhje pas granatimeve gjatë fundjavës. "Centrali është në rrezik nga aksidenti bërthamor. Gjithë natën negociuam me Agjencinë ndërkombëtare për energji bërthamore (ANEB)", deklaroi drejtori i përgjithshëm i Rosatomit. Lihaçev theksoi se ANEB-i bëri thirrje për krijimin e zonës së sigurt rreth centralit bërthamor dhe theksoi se kjo do të jetë e mundur vetëm me miratimin e SHBA-së. ANEB-i kumtoi se sot do ta vlerësojë ndikimin e sulmeve ndaj centralit bërthamor në Zaporozhje, pasi lokacioni u granatua dhjetëra herë gjatë fundjavës. ANEB-i kumtoi se shpërthimet dëmtuan ndërtesa dhe pajisje, nga të cilat asnjëra nuk ishte kritike për sigurinë bërthamore. "Rosatom" e kontrollon centralin bërthamor në Zaporozhje nga muaji mars, ndërsa në muajin tetor Rusia formalisht e mori centralin dhe e mbajti personelin ukrainas. Kievi pohon se transferimi i centralit bërthamor në pronësi të Rusisë paraqet vjedhje. qa  

QËNDRONI TË LIDHUR