Zelenski e hodhi poshtë planin e Trampit për Ukrainën
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka dhënë një intervistë për gazetën franceze La Parisien, në të cilën ka folur për mundësinë e negociatave me Rusinë për armëpushim në Ukrainë dhe për paralajmërimet e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës.
Paris, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka dhënë një intervistë për gazetën franceze La Parisien, në të cilën ka folur për mundësinë e negociatave me Rusinë për armëpushim në Ukrainë dhe për paralajmërimet e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës.
Zelenski deklaroi se nuk do të mbështeste ngrirjen e konfliktit me Rusinë për të përshpejtuar bisedimet e paqes, duke theksuar angazhimin e tij për të mbrojtur interesat e Ukrainës dhe integritetin territorial.
“Donald Tramp e di për dëshirën time për të mos nxituar gjërat në dëm të Ukrainës”, deklaroi Zelenski, duke shtuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë kthimin e territoreve të okupuara dhe garanci për sigurinë e Ukrainës.
Sipas informacioneve, ekipi i Trampit po punon për një strategji që do të sillte Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve. Tramp tha se të dyja palët do të duhet të bëjnë disa lëshime për t'i dhënë fund konfliktit, ndërsa kritikoi ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe financiare të SHBA-së për Kievin.
Gjatë fushatës, Tramp shpesh shprehu skepticizëm për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe bëri thirrje për një fund të shpejtë të luftës, duke theksuar rëndësinë e uljes së kostove për SHBA-në. Qasja e tij ka ngritur shqetësime mes zyrtarëve ukrainas, të cilët kanë frikë se administrata e re mund të shkurtojë mbështetjen që është thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës.
Zelenski përsëriti se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë kthimin e territoreve të okupuara dhe garanci për sigurinë e Ukrainës. "Ngrirja e konfliktit vetëm sa do të zgjasë vuajtjet dhe do të mundësojë Rusinë të rigrupohet. Kjo do të ishte e rrezikshme", tha ai.
Presidenti ukrainas ka refuzuar vazhdimisht propozime të ngjashme, duke argumentuar se një konflikt "i ngrirë" do të nënkuptonte heqjen dorë nga drejtësia për popullin ukrainas dhe viktimat e luftës.
"Do të ishte e rrezikshme të thuash 'ne po ngrijmë konfliktin dhe do të bëjmë një marrëveshje me rusët'," shtoi ai, duke theksuar se (presidenti rus Vladimir) Putin "vrau shumë ukrainas".
Zelenski gjithashtu pranoi publikisht për herë të parë se Ukraina e vetme nuk mund të kthejë territoret e okupuara të Krimesë dhe Donbasit, të cilat janë pothuajse plotësisht të kontrolluara nga Rusia. "Ne nuk mund të heqim dorë nga territoret tona. Kushtetuta e Ukrainës e ndalon atë. De fakto, këto territore janë aktualisht nën kontrollin e Rusisë. Na mungon forca për t'i rikthyer. Ne mund të mbështetemi vetëm në presionin diplomatik nga komuniteti ndërkombëtar për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve", tha Zelenski.
Në lidhje me atë nëse ai do të takohej ballë për ballë me Vladimir Putin, Zelenski tha: "Nuk ka të bëjë me atë se kush është ulur përballë jush, por me pozicionin në të cilin jeni kur negocioni. Nuk besoj se jemi në pozicion të dobët por edhe ne nuk jemi në një pozicion të fortë. A do të hyjmë në NATO? Nuk e dimë. A do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian? Po, ndonjëherë, por kur?"
Ai paralajmëroi se hyrja në negociata me Putinin për kushtet aktuale do t'i jepte liderit rus fuqinë për të diktuar kushtet në të gjithë rajonin. "Së pari ne duhet të zhvillojmë një model, një plan veprimi, një plan paqeje - quani si të doni. Atëherë ne mund t'ia paraqesim atë Putinit ose, më gjerë, popullit rus", thotë Zelenski.
Ai gjithashtu vuri në dukje se asnjë lider botëror "nuk ka të drejtë të negociojë me Putinin pa Ukrainën". “Ne nuk ia kemi deleguar askujt këtë mandat. Ne jemi viktimat", theksoi Zelenski.
Ndërsa Ukraina kërkon mbështetje shtesë ndërkombëtare, një ndryshim në udhëheqjen e SHBA mund të shtojë pasiguri në dinamikën e konfliktit. Zelenski shprehu shpresën se Tramp, pavarësisht retorikës së tij, do të kuptojë rëndësinë strategjike të mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus. ls/
Foto: Arkiv