• e mërkurë, 21 janar 2026

Zelenski: Do të shkoj në Davos vetëm nëse atje mund të arrihen rezultate konkrete

Zelenski: Do të shkoj në Davos vetëm nëse atje mund të arrihen rezultate konkrete

Kiev, 21 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se do të shkojë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos vetëm nëse atje mund të arrihen rezultate konkrete.

Ai në video-fjalimin e mbrëmjes theksoi se të gjithë përfaqësuesit qeveritar ukrainas tani duhet të punojnë për problemet e Ukrainës. 

"Raketat e mbrojtjes ajrore nevojiten çdo ditë, armët nevojiten çdo ditë, pajisje për rimëkëmbje, për rezerva nevojiten çdo ditë. Nëse forumi i Davosit jep rezultate reale për Ukrainën, Ukraina do të përfaqësohet atje. Askush nuk ka nevojë për politikë boshe dhe bisedime pa rezultate", theksoi lideri ukrainas.

Ai shtoi se të gjithë zyrtarët, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe udhëheqës të ndërmarrjeve shtetërore, përfshirë kompanitë energjetike, duhet të merren me situatën në vend. 

Zelensko vuri në dukje se Shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Kirilo Budanov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov, dhe kreu i fraksionit parlamentar "Shërbëtor i Popullit", David Arahamia, po punojnë aktivisht në Davos me palën amerikane, me përfaqësuesit evropianë në lidhje me takime të mundshme dhe pako për mbështetje. 

Presidenti i Ukrainës kujtoi se vetëm në Kiev, nga mbrëmë, më shumë se një milion konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa një numër i konsiderueshëm i shtëpive janë pa ngrohje - mbi 4.000 ndërtesa banimi.

Zelenski më parë tha se momentalisht nuk planifikon të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, i cili filloi të hënën, por se do të qëndrojë në Ukrainë për shkak të bombardimeve masive ruse. Siç theksoi, është i gatshëm të shkojë atje nëse disa dokumente të caktuara bëhen gati për nënshkrim, përfshirë edhe një takim në lidhje me dorëzimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore. ls/ 

Foto: Zelenski në X

 

QËNDRONI TË LIDHUR