• e martë, 20 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Zelenski: Bisedat e reja me amerikanët mund të mbahen javën tjetër

Zelenski: Bisedat e reja me amerikanët mund të mbahen javën tjetër

Kiev, 10 prill 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski theksoi se raundi i ardhshëm i negociatave me amerikanët për armëpushim mund të mbahet javën e ardhshme.

"Këtë javë besojmë se amerikanët do të mbajnë takim me rusët në nivel të caktuar. Mendojmë se takimi ynë me amerikanët mund të ndodh javën e ardhshme", tha Zelenski në bisedë me gazetarët.

Ai përkujtoi se Rusia i shkel marrëveshjet për armëpushim në kapacitetet energjetikë dhe paqen në det.

"Biseda e parë ishte para një muaji ndërmjet Trampit dhe Putinit. Putini atëherë tha se gjithçka është dakorduar, nuk do të ketë goditje ndaj sektorit energjetik. Pas kësaj ne kemi vërejtur qartë goditje ndaj sektorit energjetik, përkatësisht marrëveshja nuk funksionon", tha Zelenski, transmetoi Interfaksi ukrainas.

Ai shtoi se Trampi është shqetësuar për atë që Putini nuk po e përmbush premtimin.

"Mendoj se Trampi është i shqetësuar që Putini nuk e përmbush atë që ia premtoi. Nuk dimë gjithçka që ata diskutuan. Por, dimë shumë. Dhe me të vërtetë presim një reagim", tha Zelenski në takimin me gazetarët.

Ai shtoi se armëpushimi në Ukrainë mund të jetë nxitje për t'i dhënë fund luftës.

"Armëpushimi në Ukrainë është ide e Trampit. Kuptojmë se ky është hapi i parë drejt përfundimit të luftës. Ai ka interes për këtë hap. Prandaj mendoj se irritimi i tij është më i madh se sa e imagjinojmë. Sepse në tërësi, ne mbështesim planin e tij me hapat tanë. Absolutisht. Ndërsa Putini bën të kundërtën", tha Zelenski.

Presidenti ukrainas, gjithashtu, beson se Trampi në një moment do të mund të tregojë se është "e pamundur t'i besohet Putinit".

Siç tha, planet e Rusisë për të lidhur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për minierat e përbashkëta në territorin rus nënkuptojnë një zhbllokim të pjesshëm të marrëdhënieve ekonomike midis vendeve dhe heqjen e sanksioneve ndaj një numri të madh oligarkësh rusë dhe Ukraina po punon për të parandaluar që kjo të ndodhë.

Sipas tij, rusët propozojnë që kjo marrëveshje të lidhet përmes njeriut të parë të Fondit rus për investime direkte (RFDI), Kiril Dmitriev, i cili, siç citoi, është një nga negociatorët e Vladimir Putinit me amerikanët.

Sipas tij, Ukraina mund të marrë garanci sigurie vetëm gjatë një armëpushimi ose gjatë nënshkrimit të fazës së dytë të përfundimit të luftës, tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.

"Askush nuk do të na japë thjesht garanci sigurie gjatë armiqësive në Ukrainë... Prandaj, ne mund t'i marrim ato vetëm gjatë armëpushimit ose në momentin e nënshkrimit të fazës së dytë të përfundimit të luftës", tha ai.

Siç tha ai, SHBA-ja ka premtuar se do të ndërmarrë hapat e duhur të fortë nëse nuk mund të arrihet një armëpushim i plotë.

"Nuk e di cilat do të jenë ato hapa. Ata e dinë se sanksionet dhe mbështetja ushtarake për Ukrainën janë të rëndësishme për ne. Ne do të presim për këto dy hapa", theksoi Zelenski.

Zelenski tregoi se marrëveshja e ardhshme për mineralet duhet të jetë nga interesi si për Ukrainën ashtu edhe SHBA-në dhe tha se "askush nuk do të jetë në gjendje t'i bëjë presion atij për këtë çështje".

Ai kritikoi qasjen e ministrit amerikan të Financave Skot Besant në lidhjen e kësaj marrëveshjeje.

"Unë mendoj se problemet e Besentit janë në qasjen e tij," tha Zelenski. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR