Zaharova: SHBA, BE dhe regjimi kukull në Kiev janë përgjegjës për ndërprerjen e gazit përmes Ukrainës
- Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova deklaroi se SHBA, Bashkimi Evropian (BE) dhe "regjimi kukull në Kiev" janë përgjegjës për ndërprerjen e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës dhe se ata sakrifikuan mirëqenien e qytetarëve të tyre për të mbështetur financiarisht ekonominë amerikane.
- Post By Fami Bajrami
- 14:59, 2 janar, 2025
Moskë, 2 janar 2025 (MIA) - Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova deklaroi se SHBA, Bashkimi Evropian (BE) dhe "regjimi kukull në Kiev" janë përgjegjës për ndërprerjen e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës dhe se ata sakrifikuan mirëqenien e qytetarëve të tyre për të mbështetur financiarisht ekonominë amerikane.
"Kievi mori një vendim për të ndaluar tranzitin e gazit nga Rusia, edhe pse Gazpromi i përmbushi të gjitha detyrimet kontraktuale", ka thënë Zaharova.
Sipas saj, ndërprerja e dërgesave të energjisë konkurruese dhe ekologjikisht të pastër ruse dobëson potencialin ekonomik të Evropës dhe ka ndikim negativ në standardin e jetesës së qytetarëve të saj.
Zaharova ka thënë se përfitimi kryesor nga rishpërndarja e tregut evropian të energjisë janë SHBA.
Kompania "Gazprom" kumtoi se ka mbetur pa mundësi teknike dhe ligjore për të ofruar gaz përmes territorit të Ukrainës nga 1 janari, për shkak se autoritetet ukrainase nuk e zgjatën marrëveshjen e tranzitit.
foto: arkivi i MIA-s