• e premte, 05 dhjetor 2025

Zëvendësministrja Ismaili merr pjesë në mbledhjen e Grupit të kontaktit për Ukrainën, pjesëmarrës edhe Zelenski

Zëvendësministrja Ismaili merr pjesë në mbledhjen e Grupit të kontaktit për Ukrainën, pjesëmarrës edhe Zelenski

Shkup, 10 janar 2025 (MIA)- Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit të kontaktit të Ukrainës që u mbajt në Ramstein të Gjermanisë, një ngjarje shumë e rëndësishme në kuadër të angazhimit ndërkombëtar për mbështetje të paqes dhe sigurisë globale. Ismaili thotë se kjo mbledhje e kryesuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llojd Ostin, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar partneritetet strategjike dhe për të kontribuar në fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. 

“Në këtë takim, mori pjesë gjithashtu edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i cili falënderoi shtetet e koalicionit për ndihmat e dhëna përmes Grupit të kontaktit. Ky grup, i formuar nga shtete të ndryshme, ka qenë një platformë kyçe për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus. Poashtu gjatë qëndrimit tim zyrtar, pata mundësinë të bashkëbisedoj me sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Ostin, ku diskutuam për përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare për të mbështetur Ukrainën në këtë periudhë të vështirë, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të aleatëve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka kontribuar me donacione dhe angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në Grupin e kontaktit, një format ministror që mbështet Ukrainën dhe do të vazhdoj të kontribuoj në përpjekjet globale për stabilitet dhe paqe”, ka shkruar zëvendësministrja Elfete Ismaili.

 

QËNDRONI TË LIDHUR