• e diel, 05 janar 2025

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habek me një mesazh për Ilon Mask: Larg duart nga demokracia jonë

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habek me një mesazh për Ilon Mask: Larg duart nga demokracia jonë

Berlin, 3 janar 2025 (MIA) - Zëvendëskancelari gjerman Robert Habek ka paralajmëruar miliarderin amerikan Ilon Mask që të mos ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme gjermane dhe ka kritikuar mbështetjen e tij të hapur të fundit për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë.

"Larg duart nga demokracia jonë, z. Mask"! deklaroi Habek për revistën Shpigel, kur u pyet nëse Mask përbënte kërcënim për Gjermaninë.

"Kombinimi i pasurisë së madhe, kontrolli mbi informacionet dhe rrjetet, përdorimi i inteligjencës artificiale dhe mosrespektimi i rregullave është një sulm frontal ndaj demokracisë sonë", shtoi Habek.

Ai theksoi se Mask, i cili konsiderohet si këshilltar i presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Tramp, po bën gjithçka për të zbatuar interesat e tij.

Mask, i njohur për postimet e tij provokuese në rrjetin e tij social X, prej disa ditësh po bën trazira në politikën gjermane.

Gjatë fundjavës, ai mbështeti AfD-në me një artikull të gjatë të botuar në gazetën Velt am Sonntag përpara zgjedhjeve të 23 shkurtit.

Habek i quajti pikëpamjet e shprehura në artikull "të tmerrshme" dhe paralajmëroi të mos nënvlerësohen përpjekjet e Mask për të ndikuar në politikën gjermane.

“Njeriu më i pasur në botë, i cili zotëron një nga platformat më të fuqishme të komunikimit, mbështet hapur një parti që është pjesërisht e ekstremit të djathtë. Nuk duhet të gabojmë dhe ta injorojmë këtë, ka theksuar Habek.

Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane BfW monitoron AfD-në si një grup i dyshuar i ekstremit të djathtë, ndërsa disa nga organizatat rajonale të partisë kanë marrë tashmë një kualifikim të tillë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR